Flamuri merr në pyetje Fahriun për bizneset
Flamuri dje ishte i zënë gjithë ditën me hallin e Fahriut. Ai burri ishte xhindosur keq që në mëngjes dhe i ulërinte Flamurit.
- Dua të ma zhdukësh tani emrin e vajzës së tij nga QKR, - i thoshte, - urgjent tani…!
Flamuri doli nga zyra, thirri një noter dhe u nis në punë. Por për fat Zana Guxholli ishte zgjuar para tij. Dhe atë nuk e kishte zënë gjumi gjithë natën, se halli i Fahriut është dhe halli i saj. Meqë ajo ka emëruar 80 për qind të QKR, ishte dhe më e lehtë që brenda dy orësh të bëhej ndryshimi. I vetmi problem është se mbetet data. D.m.th., data 8 prill mbetet si datë e shitjes së aksioneve të Balliut te Delijorgji.
Problemi tjetër ishte Delijorgji i madh. Ai është në burg. Vëllai i tij u soll nga Durrësi me urgjencë të bëhej kontrata. Problemet nuk kishin të sosur. Sa duhej bërë shitja, a duhej falur, a duhej paguar taksë… Mos të ishte Zana Guxholli, që e filloi punën nga fundi, d.m.th., bëri njëherë ndryshimin në QKR, pastaj u tha “bjereni kontratën”, puna do ishte shumë keq.
Rreth orës 11 mbaroi gjithçka. Ndryshimi në QKR u bë, dhe Flamuri i raportoi atij burrit.
- Ndryshimi u bë, - tha. - Tani është pronar vetëm Delijorgji me Xhillarin. Mbiemri Balliu u fshi.
- Mirë shumë, - i tha ai burri. - Tani jam i qetë. Tani ua tregoj unë atyre. E para ajo shtriga që hiqet si Silvia Konti, pastaj ata drakulat e tjerë…. Jo, se ata s’bëjnë dot parti politike me prokurorinë. Atë s’ua lejoj unë. Mirë shumë që e keni ndërruar. Të përshëndes.
Pas kësaj Flamuri u qetësua. U kthye në zyrë dhe thirri Fahriun.
- Fola me atë burrin, - i tha. - “Kjo është hera e parë që e toleroj”, - më tha. I kishte folur mirë Lul Basha. I kishte thënë: “Duan të godasin Fahriun, se është miku im dhe duan të dal keq në Elbasan.” Ai në fakt nuk ia kishte dhënë fjalën Lulit që ti do të jesh kandidat në Elbasan, po Luli ia kishte kërkuar. Tani ai më ngarkoi mua të bëj një biografi tënden të re dhe t’ia paraqes. Do t’iu përgjigjesh disa pyetjeve të tjera.
E para, a ke kompani tjetër në emër të vajzës?
- Po, kam dhe një kompani tjetër në emër të vajzës me një ortak tjetër 50 me 50.
- Kë ka ortak dhe a ka lidhje të tjera të dyshimta ortaku?
- Ortak është djali i një miku tim, se tani me djemtë dhe vajzat do t’i bëjmë punët, se na ka ikur mosha. Lidhjet e atij mikut tim janë të shkëlqyera. Ai është ortak nga ana e vet me disa serbë nga Bosnja, por janë njerëz shumë të mirë. Kam qenë disa herë atje. Na kanë pritur si s’ka më mirë. Ku s’na kanë çuar. Në bunker të Titos, në uzina ushtarake. I kam pyetur dhe për Fazlliçin. E njihnin dhe kishin mendim të mirë.
- OK, veç kësaj kompanie, çfarë biznesi ke tjetër? D.m.th., çfarë problemi mund të të hapin kundërshtarët?
- Kam kunatën përfaqësuese ligjore të kompanisë së rrugëve. Dhe ajo me një serb të Bosnjës. Po janë njerëz të mirë, se ne kemi mendim të keq kot për serbët. Me atë kam bërë disa punë, D.m.th., kam marrë nja 130 milionë euro tenderë. Por nuk janë shumë për dy vjet, se unë kam dhënë shumë kontribute.
- Cilat rrugë keni marrë?
- Po te rruga Vlorë-Levan jam bashkë me Lulin, se ai ma dha dhe ia kam ruajtur pjesën. Dhe te Levan-Tepelenë ia kam ruajtur pjesën. Te mbikalimi i Tiranës nuk dolëm mirë, se s’kishim makineri dhe morëm nënkontraktorë. Ata punuan keq dhe mund të na gjobisin. Po nejse, mirë na kanë shkuar punët.
- Tjetër, veç kunatës, ke ndonjë problem, se më duhet t’i di të gjitha, t’ia raportoj atij burrit, se t’i mbyll ai…?
- Duan të më hapin një problem me baxhanakun. Ka shkuar një kontroll në Ministri të Jashtme dhe paska zbuluar me demek që ai, kur ka qenë shef auditi, shkonte në ambasada, merrte lekë për emergjencë dhe nuk i paska kthyer. I thashë Lulit, ma mbyll këtë problem, se është sulm politik. Ma bën Kontrolli i Shtetit, i thashë, se kanë inate të vjetra nga koha e Blerimit. Dhe shpresoj të ma mbyllë Luli. Po janë ca diplomatë spiunë që çojnë letra nëpër gazeta, se duan ta diskreditojnë.
- Dakord, - i tha Flamuri. - D.m.th., ti paske futë në biznes vajzën, kunatën dhe baxhanakun apo jo…?
- Po si gjithë të tjerët dhe unë, - tha Fahriu. - Doli në modë kjo punë e vajzës dhe baxhanakëve, se me kunatën kam një jetë që punoj.
- Mirë, - tha Flamuri. - Tani jam i qartë. Po ia raportoj atij burrit që herë tjetër të jetë i përgatitur, se sot e kishe tmerruar. “Unë shkoj ngre flamurin në NATO, - tha, - dhe ai më hedh në erë me Delijorgjin.” Ishte shumë i nxehur, por e qetësoi Zana. Ajo lë kokën për ty. Dhe sot në QKR ajo bëri namin. Duket që e ke për ditë të vështira.
- Faleminderit, - i tha Fahriu. - Më lajmëro si do shkojë kjo puna ime, se është dhe Luli në merak. S’e lë dot në Elbasan vetëm …