Fahri Balliu i shiti dje aksionet e tij Delijorgjit
Fahri Balliu, botues i gazetës proqeveritare “55”, i njohur si njeri i afërt i kryeministrit, Sali Berisha, i ka shitur dje Delijorgjit 20 për qind të aksioneve të tij në kompaninë “Trans Digging Construction”.
Deklarimi i shitjes është bërë mëngjesin e djeshëm në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, vetëm një ditë pasi mediet bënë publik skandalin.
Të dhënat janë lehtësisht të verifikueshme. Vetëm një javë më parë, kompania kishte si ortake vajzën e Balliut, Henris, e cila kishte 20 për qind të aksioneve. Kjo dallohet qartë në Faksimilen 1, që përmban informacionet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Në fund dallohet se veprimet e fundit që janë bërë me këtë kompani mbajnë datë 30 mars 2009, gjatë kohës kur vajza e Balliut ishte aksionere në këtë kompani.
Ndërsa dje të dhënat e firmës tregojnë ndryshimet e bëra në mëngjes herët. Balliu ka shitur aksionet e tij, duke u tërhequr kështu nga firma, ndërsa aksionerë vazhdojnë të jenë vëllezërit Mihal e Kristo Delijorgji dhe përfaqësuesja ligjore, Flora Xhillari.
Data e ndryshimeve pasqyrohet në fund të faqes në Faksimilen 2. Ndryshimet janë bërë në datë 8 prill, menjëherë pas shpërthimit të skandalit.
Aksionet i kanë kaluar Kristo Delijorgjit, i cili është marrë me urgjencë për të kryer veprimet.
Gazeta “TemA” publikoi dje të dhëna për kompaninë “Trans Digging”, e cila është në bashkëpronësi të të akuzuarit kryesor të Gërdecit, Mihal Delijorgjit, dhe botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu, që ka përdorur vajzën e tij për aksionet në këtë kompani.
Dje nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga mazhoranca, e cila përmes kryetares së Kuvendit kishte deklaruar se opozita ishte e lidhur me Delijorgjin. Faktet e botuara në gazetën “TemA” vërtetojnë se njëri nga njerëzit më të afërt të Berishës është bashkëpronar me Delijorgjin në një kompani, e cila nuk është sekuestruar nga prokuroria gjatë hetimeve për Gërdecin dhe që vazhdon të jetë aktive edhe sot e kësaj dite.
Balliu: Ishte vendimi i vajzës jo imi për të bërë ortakëri me Delijorgjin
Botuesi i gazetës “55”, një nga njerëzit e afërt të kryeministrit Berisha, i akuzuar për lidhje me shkaktarin kryesor të Gërdecit, tha dje se vajza e tij kishte hyrë në ortakëri më Delijorgjin, dhe ky ka qenë vendimi i saj.
“Ju bëj me dije se në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë nuk kemi asnjë lidhje me këtë firmë, e cila vdiq, sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë.
Të bësh biznes, dhe jemi në 2006 në rastin në fjalë, nuk është një gjë e ndaluar me ligj. Por, ky biznes, sipas medieve dhe sipas qarqeve politike, u dashka bërë me njerëz me biografi të mirë ose të keqe. Unë mendoj se ky sulm është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentet e krijimit të kësaj ndërmarrjeje kanë qenë me kohë në prokurori: është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime”, - tha Balliu.
Në shkurt të 2009, kjo shoqëri, me letra, rezulton akoma aktive. Kam parasysh këta dy ortakët e tjerë që janë tërhequr nga shoqëria...
Ata bëjnë punën e tyre. Se çfarë bëjnë ata, është tjetër çështje. Unë po flas për pjesën time, e cila është e vdekur. Nuk ka aktivitet. Kjo është lehtësisht e provueshme, sepse janë dokumentet e bankës. Por, pikërisht këto dokumente kanë frikë.
Zoti Balliu, ju po thoni se aksionet janë të vajzës dhe tuajat?
Nuk ka lidhje kjo, si të jetë e vajzës, si të jetë e imja; nga unë do kalojnë tek ato të vajzës, nga vajza do kalojnë tek unë. Ajo ka firmosur për të marrë pjesë në aksione dhe pastaj që nga ai moment nuk ka marrë pjesë. Marrja pjesë në firmë ka qenë një vendim i saj, jo imi.
Pse vajza juaj, sapo hyri në një biznes, u tërhoq?
Motivet e saj mund të jenë të shumta. Por shoqëria ka vazhduar pa këtë. Për dijeninë time dhe të vajzës, është e mbyllur, sepse ne e mbyllëm atë punë dhe nuk jemi marrë më me atë gjë. Kjo gjë është e vdekur. Për t’u bindur për këtë, duhet të shikosh dokumentet financiare. Ato e provojnë të vërtetë këtë që po them.
gazeta55.net
Ina Rama: Po bëjmë verifikimet përkatëse për këtë çështje
Duke iu referuar faktit të mosvënies nën sekuestro të shoqërisë së ndërtimit “Trans Digging Construction”, në të cilën Mihal Delijorgji është ortak, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, konfirmoi hetime për këtë çështje.
“Po bëjmë verifikimet përkatëse në lidhje me këtë çështje”, - u shpreh Rama.
Por me herët gjatë një takimi me prokurorë nga i gjithë vendi, Prokurorja e Përgjithshme foli ashpër për ata prokurorë që lënë jashtë sekuestros prona të individëve, që i kanë ngritur këto biznese me anë të aktiviteteve kriminale. Kryeprokurorja propozoi madje një grup të përbashkët pune me policinë.
“Jemi të ndërgjegjshëm se goditja financiare që i bëhet një individi nëpërmjet një aktiviteti kriminal është ajo që shkatërron suportin themeltar të tij”, - u shpreh Rama. Sipas saj, puna e një prokurori nuk do të jetë e mirë, nëse është shmangur hetimi financiar që është një detyrim ligjor.
TCH