BE-ja, Berishës: Ju presim në familjen evropiane
Kryeministri takon kryeministrat e vendeve të BE-së
Berisha: Përfaqësuesit e BE-së, mirëkuptim për vizat
Nga Davosi i Zvicrës, kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së shprehën mirëkuptimin e përbashkët për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Njëherësh dhe vullnetin për të proceduar me shpejtësi në liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Kjo siguri iu dha dje Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, nga drejtues shtetesh e qeverish të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në takimet e tyre me të. Gjatë qëndrimit në Davos, ku po zhvillon punimet Forumi Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Belgjikës, Kryeministrin e Danimarkës, Presidentin e Lituanisë, Presidentin e Letonisë, Kryeministrin e Suedisë, si dhe me personalitete të tjera të politikës evropiane. Kryeministri Berisha, i ftuar të mbante një fjalë përshëndetëse gjatë kësaj darke, u shpreh se Bashkimi Evropian për Shqipërinë është një projekt-ëndërr që bazohet në tri shtylla: projekt i parezistueshëm, i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, që do të ndryshojë pozitivisht petkun social të Evropës. Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian shprehën vlerësimet e tyre për reformat e ndërmarra në Shqipëri dhe mbështetën aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Gjithashtu, përfaqësuesit e lartë të BE-së shprehën mirëkuptimin e tyre për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, në vazhdën e plotësimit të kërkesave dhe standardeve të kërkuara. Gjatë darkës, Kryeministri Berisha bisedoi gjithashtu me analistin e njohur amerikan, Farid Zakaria, lidhur me krizën botërore. Kryeministri e cilësoi babëzinë njerëzore si një nga shkaqet kryesore të kësaj krize të paprecedentë. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në takimin privat të zhvilluar me praninë e të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të Davosit. Ndryshe nga vitet e tjera, kur ky takim zgjaste rreth 2 orë, këtë herë takimi zgjati mbi 4 orë dhe në të u diskutua për gjetjen e mënyrave për të dalë nga kriza. Në këtë takim, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është një nga vendet e pakta që ende nuk është prekur nga kriza ekonomike globale dhe për më tepër nuk rrezikon të preket shumë. Duke prezantuar situatën ekonomike në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se ekonomia shqiptare në 9-mujorin e parë shënoi një rritje dyshifrore dhe në dy muajt e fundit Shqipëria arriti të nënshkruajë marrëveshje me vlerë 3.5 miliardë euro në fushën e energjisë. Kryeministri theksoi se gjatë muajit janar u pa një tendencë e rritjes së kursimeve. Ky takim u dominua nga optimizmi dhe besimi për gjetjen e rrugëve të duhura për daljen nga kriza brenda një kohe sa më të shkurtër. Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, shprehu optimizmin se Gjermania do të dalë shpejt nga rënia ekonomike, duke evidentuar domosdoshmërinë e transparencës së plotë në tregjet private botërore. Ndërsa Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Braun, e vuri theksin në domosdoshmërinë e një bashkëpunimi të sinqertë dhe transparent, i cili do të nxjerrë ekonomitë nga kriza për të reformuar dhe rigjallëruar institucionet financiare ndërkombëtare të ngritura që në vitin 1949. Roli i Evropës në arenën botërore ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë darkës së punës, ku merrnin pjesë liderët evropianë.