E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundërpërgjigje LSI-së

Tiranë - Nuk ka vonuar kundërpërgjigjja e Partisë Socialiste pas akuzave të liderit të LSI-së Ilir Meta një ditë më parë. Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PS-së Mimi Kodheli u shpreh se “dje shqiptarët panë dy tabllo qartësisht të dallueshme të raportit mes politikës e qytetarëve. Tabllonë e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga Kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës, por edhe tabllonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër të Sali Berishës, Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore Bashkinë e Tiranës e Kryetarin e saj”. Sipas saj, me votën pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, PS respektoi kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë.

Ajo akuzoi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, që sipas saj për fat të keq, e vunë edhe njëherë dje interesin e oborrit të tyre të vogël mbi vullnetin dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Tiranës, duke deformuar realitetin e shifrave të buxhetit e të fakteve të punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, me një agresivitet e mungesë vërtetësie aq të madhe, sa me siguri duhet t'i ketë pasur zili edhe Berisha me Olldashin.

“Ne vijojmë t'u bëjmë thirrje aleatëve tanë të 18 shkurtit 2007, të mos vazhdojnë ta shkelin kontratën me qytetarët, duke u bërë palë kundër buxhetit të qytetit me ata që kanë 8 vjet që i turren qorrazi Bashkisë së Tiranës dhe duke krijuar me Partinë e Sali Berishës, një shumicë që bie ndesh me vullnetin e zgjedhësve e me interesin e të gjithë Kryeqytetasve. Kur mbeten edhe 148 ditë nga largimi i Berishës, ne mendojme që Ilir Meta s'ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005”, tha Kodheli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›