E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Zyrtarët e korruptuar, para drejtësisë



Kryeministri Sali Berisha njohu dje drejtorin e Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Mark Peith, me reformat e qeverisë kundër korrupsionit. Z. Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, e njohu z. Peith me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Kryeministri evidentoi veçanërisht reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, tatimet dhe doganat, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave, duke nënvizuar se rezultatet janë të dukshme. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se "lufta kundër korrupsionit është përparësia më serioze për qeverinë shqiptare", duke nënvizuar se në tre vjet Shqipëria nga grupi i 24 vendeve me korrupsion të lartë në botë ka lënë mbrapa 95 vende të planetit. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se një numër i madh zyrtarësh të akuzuar për korrupsion janë vënë para drejtësisë. Nga ana e tij, z. Peith vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe siguroi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e këtij instituti me qeverinë shqiptare. Kryeministri Berisha dhe z. Peith diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik ndërkombëtar. Prof. Mark Peith është drejtor i Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit pranë Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që nga viti 1990. Nga viti 1989-1993 ai ka mbajtur postin e drejtorit të Departamentit Kundër Krimit Ekonomik dhe Krimit të Organizuar në Zyrën Federale të Drejtësisë në Zvicër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›