E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, BSH-së: Kujdes me uljen e normës së interesit



Kryeministri Sali Berisha kërkon nga Banka e Shqipërisë kujdes në uljen e normës së interesit me 0.5%. Sipas tij, Shqipëria nuk është e prekur nga kriza, por duhet të jemi të kujdesshëm. Nga Davosi, Berisha bëri të qartë se Shqipëria duhet të bëjë kujdes për sa i përket uljes së normës së interesit në të ardhmen, pasi si një lëvizje agresive mund të çojë në uljen e nivelit të depozitave. Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë u bë dje gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Në fillim të kësaj jave, Banka e Shqipërisë uli normën e interesit me 0.5 %, duke e çuar normën bazë të interesit të kredive 5.75, si masë për të nxitur ekonominë, pasi norma 6.25 % qëndroi e palëvizshme për gjithë 2008-n. I pyetur për mundësi të tjera të uljes së normës së interesit, Sali Berisha i tha “Reuters” se duhet të monitorojë zhvillimin ekonomik, duke shtuar se “ne duhet të bëjmë kujdes. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi njëkohësisht duhet të ruajmë kursimet”. Duke vënë theksin mbi faktin se aktualisht Shqipëria nuk është e prekur nga kriza globale, Kryeministri në Forumin Ekonomik të Davosit pohoi se “sistemi bankar në Shqipëri është me likuidet të plotë, pasi nuk ka dhënë kredi më shumë se 50-60 % të depozitës”. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi më 28 janar 2009 vendimin e Bankës së Shqipërisë, për të ulur normën e interesit me 0.5 %. Vetëm dy ditë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, bëri të ditur vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit nga 6.25% në 5.75%. Ai e justifikoi këtë vendim me krizën që po pëson ekonomia botërore. Sipas Fullanit “ekonomia botërore dhe veçanërisht sistemi financiar pësuan tronditje të mëdha gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. Kriza e cili goditi zemrën e sistemit financiar botëror u transmetua në mënyrë progresive e të pandalshme në aktivitetin ekonomik të vendeve të zhvilluara, duke i çuar ekonomitë e disa prej tyre në recesion. Përballë kësaj vale goditëse, ekonomia shqiptare ka shfaqur rezistencë gjatë periudhës në fjalë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›