E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti mysliman, OKI-së: Njihni pavarësinë e Kosovës



Myslimanët shqiptarë, peticion Organizatës Islamike

“Bashkoni zërin tuaj me ne”

Në një kohë kur Tirana zyrtare vazhdon procesin e lobimit për njohjen nga sa më shumë vende të botës të pavarësisë së Kosovës, është komuniteti mysliman që i kërkon botës islamike njohjen sa më të shpejtë të Kosovës shtet. Myslimanët e Shqipërisë i bënë thirrje dje Organizatës së Konferencës Islamike që të njohin shtetin e ri të Kosovës. Një pankartë e madhe, e vendosur në hyrje të xhamisë në “Rrugën e Kavajës”, me mbishkrimin: “Bashkoni zërin tuaj me ne! OKI, njihni pavarësinë e Kosovës”, mblodhi gjatë gjithë ditës së djeshme me qindra myslimanë, të cilët firmosën një peticion që do i dërgohet pikërisht kësaj organizate. Kërkesa e tyre bëhet në formën e një apeli, por dhe “detyrimi” nga ana e OKI-së, për të mbështetur Kosovën në këtë proces, edhe si vend me popullsi myslimane. Ndaj dhe besimtarët shqiptarë të këtij komuniteti në vendin tonë pritet që brenda dy javësh t’i dërgojnë peticionin me firmat e mbledhura Organizatës së Konferencës Islamike, ku i kërkojnë asaj njohjen e pavarësisë së Kosovës. Peticioni do të firmoset nga besimtarët, duke u shtrirë në të gjithë vendin tonë. Sipas Imamit Ahmed Kalaja, ky është një peticion mbarëqytetar, por pikënisja është pikërisht nga besimtarët myslimanë. “Njohja e lirisë, njohja e pavarësisë, njohja e së drejtës për vetëvendosje është e drejtë e gjithë popujve. Ne na ka indinjuar shumë si myslimanë shqiptarë pse të mos zbatohet pikërisht ky parim bazë i islamit”, - theksoi z. Kalaja. Aktualisht nga 57 vende anëtare të kësaj organizate, vetëm tre kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në seancën e fundit të organizatës së Konferencës Islamike është kundërshtuar pavarësia e shtetit më të ri nga Azerbajxhani dhe Egjipti. Ndërkohë që një nga shtatë qëllimet e kartës së kësaj organizate që është edhe dokumenti baze, thotë se vendet anëtare duhet t’u japin mbështetje të gjithë myslimanëve që luftojnë për ruajtjen e dinjitetit të tyre, pavarësisë dhe ligjeve kombëtare. Kosova fitoi pavarësinë e plotë në datën 18 shkurt të 2008-s dhe që nga ajo ditë qeveria shqiptare nuk ka reshtur së lobuari në mbarë vendet e votës për njohjen e saj. Tashmë është radha e komunitetit mysliman që insiston njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, nga Organizata e Konferencës Islamike. Myslimanët e Shqipërisë në mënyrë të vazhdueshme kanë shprehur shqetësimin për vonesën e deritanishme nga ana e kësaj organizate për njohjen e Kosovës së lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›