PBKD: “14 shtatori”, 11 vjet zvarritje politike
Ballistët e Artur Roshit konsiderojnë se mbajtja hapur e çështjes gjyqësore të njohur si “14 shtatori” është një çështje tërësisht politike që zvarritet prej 11 vitesh. Kreu i PBDK-së, Roshi, gjykon se vazhdimi i procesit gjykues i dosjes së “14 shtatorit” është një veprim politik i nxitur nga mentalitetet e diktaturës.“Drejtësia ka dështuar. Kjo çështje po hyn në vitin e 11-të. Zvarritja tregon se ose aty nuk ka subjekt vepre penale, ose dikush është i interesuar ta mbajë pezull dhe ta nxjerrë nga sirtarët sa herë që duhet të bëjë presion politik”, - deklaroi z. Roshi. “PBKD-ja, - shtoi ai, - e di më mirë se kushdo tjetër se sa të ngarkuara janë gjykatat tona me mentalitetin e kohës së gjyqeve politike”. Duke përmendur faktin se ballistët i kanë provuar vetë gjatë dy vjetëve të fundit, kur një prokuror i kohës së diktaturës, ende në detyrë, i akuzonte se kishin vepruar në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, Roshi pohoi se ky prokuror nuk e dinte dhe nuk e di ende se në demokraci mund të ketë edhe njerëz të deklaruar kundër një marrëveshjeje politike. Kreu i ballistëve demokratë bëri të qartë se kësi mentalitetesh i përmirëson vetëm ligji i lustracionit. Disa nga krerët e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, mes të cilëve edhe kryetari, u arrestuan në vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, me akuzën për falsifikim. Vitin e kaluar gjykata i shpalli të pafajshëm për të gjitha akuzat. Por, sipas tij, diskutimet për ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve duhet t’ia lënë vendin zbatimit të ligjit që tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas tij, “Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit duhet të nisë sa më shpejt nga puna dhe të drejtohet nga njerëz të zotë, me investime serioze në këtë fushë”. Partia jonë, - vijoi ai, - është e gatshme të ofrojë njerëzit e saj, të aftë profesionalisht dhe të pakorruptueshëm moralisht. Tranzicioni në Shqipëri, sipas zotit Roshi, do të marrë fund kur të zgjidhen tre probleme kryesore të shoqërisë së sotme, rikthimi i pronës, dënimi i krimeve të komunizmit dhe pajtimi kombëtar. “E thënë ndryshe, - tha z. Roshi, - kur të përmbyset rendi moral që ka sunduar në shoqërinë shqiptare në këto 20 vite tranzicion, kur në Shqipëri ta trashëgojë pronën ai që i takon, kur ai që ka kryer krime në komunizëm të dënohet, ndërsa ai që është dhunuar për shkak të bindjeve politike të nderohet”.