E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasoulides zbardh darkën e Strasburgut mes Ramës e Berishës



Nënkryetari i Grupit Parlamentar Kristiandemokrat në Parlamentin Europian, Ioannis Kasoulides, në një intervistë dhënë BBC-së pas përfundimit të darkës në Strasburg, shprehet optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes Ramës dhe Berishës, gjë që sipas tij do t’i japë fund ngërçit politik në Shqipëri. Gjatë darkës në praninë e përfaqësuesve më të lartë të së majtës dhe së djathtës europiane dhe të komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle, udhëheqësit shqiptarë kanë biseduar për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët për kapërcimin e krizës politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar.

Zoti Kasoulides, mund të na thoni se çfarë doli nga takimi në Strasburg?

Fillimisht dua të them se kjo ishte një nismë e dy grupeve më të mëdha në Parlamentin Europian, Partia Popullore Europiane dhe grupeve socialiste e demokrate, dhe dy kryetarët e grupeve, presidenti Zhozef Daul dhe presidenti Martin Shultz, kishin ftuar kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe udhëheqësin e opozitës Edi Rama, për të ardhur në Strasburg, në një vend simbolik, kryeqyteti i Europës dhe qyteti i pajtimit në Europë, për të diskutuar lidhur me mënyrat për të dalë nga gjendja e tanishme e ngërçit politik dhe nga kriza politike me të cilën përballet Shqipëria.
Janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tri javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje.

Çfarë është vënë mbi tryezë, zoti Kasoulides?

Unë nuk dua të hyj në këto lloj hollësish. Ju e dini më mirë se unë se cilat janë çështjet që ngrihen në Shqipëri për momentin, prandaj mbi tryezë janë ide se si t'i zgjidhim të gjitha ato në mënyrë të kënaqshme, që sistemi parlamentar të punojë pa pengesa në mënyrën europiane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Unë mendoj se mbrëmë në këtë mënyrë u veprua, dhe kjo është rruga përpara.

Nga takimi i mbrëmshëm, a mendoni ju se mund të arrihet një zgjidhje? A janë palët konstruktive?

Jam optimist se të dy udhëheqësit po kërkojnë një zgjidhje, prandaj një zgjidhje mund të arrihet.

Marrë nga BBC

Qëndrimi i Fyles

Pa mbaruar ende darka me përfaqësuesit e politikës shqiptare, zyra e komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, ka hartuar një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kethrin Eshton, në të cilën mbështesin iniciativën e kreut të Partive Popullore Europiane, Zhozef Daul dhe atij të Partive Socialiste Europiane, Martin Shultz, për t’i ulur të dyja palët shqiptare në bisedime për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në deklaratën e përbashkët, ndër të tjera, thuhet: “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit europian. Gjithashtu, një sërë arritjesh të tjera kërkojnë kurajë politike. Bashkimi Europian është seriozisht i shqetësuar për ngërçin e vazhdueshëm politik. Jemi të shqetësuar për mosfunksionimin e Parlamentit dhe efektet pasuese nëpër institucionet e tjera. Është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale politike mbi baza që do t’i rezistojne kohës. Prosperiteti i Shqipërisë nuk duhet të ndikohet nga vazhdimi i status quo-së”. Përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe komisioneri i bashkohen thirrjes nga ana e grupeve politike të Parlamentit Europian për kreun e qeverisë dhe kreut të opozitës për të marrë përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të çojë përpara, në mënyrë të qëndrueshme dhe të shpejtë, në përputhje me aspiratat e qytetarëve e Shqipërisë, Kushtetutës dhe parimin e transparencës.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›