E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja garanton Kosovën: Nuk do të ketë izolim të vendit



Blerina Olldashi
Komisioni Europian po punon që Kosova të mos mbetet e izoluar në procesin e liberalizimit të regjimit të vizave krahas vendeve tjera të rajonit. Kështu deklaroi ambasadorja çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova, vendi i së cilës mban presidencën e BE-së deri në fund të muajit. Mosnjohja e vendit nga pesë shtete anëtare të BE-së ka bërë që Kosova të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë proces. Megjithatë Hrebickova theksoi se Komisioni Europian po punon për të gjetur një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në këtë proces, por ajo sqaroi se për të marrë një vendim të tillë nevojitet mbështetja politike e të 27 vendeve anëtare të BE-së. Disa ditë më parë Komisioni Europian vlerësoi Maqedoninë si vendin që ka përmbushur më së miri kriteret për heqjen e vizave, pasuar nga Serbia dhe Mali i Zi, që thuhet të kenë bërë përparime të konsiderueshme. “Bashkimi Europian dhe Presidenca Çeke në shumë raste kanë thënë se Kosova nuk duhet të lihet mbrapa kur fqinjët e saj ecin përpara. Mund t’ju siguroj se BE-ja është e përcaktuar që të mos e lejojë të ndodhë ky izolim për Kosovën, jo vetëm për hir të Kosovës dhe jo vetëm për hir të stabilitetit dhe sigurisë në rajon, gjithashtu jo vetëm për hir të emigracionit, por edhe për hir të vlerave dhe sigurisë së BE-së”,- deklaroi ambasadorja e Republikës Çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova. Çekia po përfundon mandatin e saj në krye të BE-së dhe nga 1 korriku kjo detyrë do t’i kalojë Suedisë. Zyrtarët suedezë kanë nxitur që pavarësisht situatës të punojë seriozisht për përmbushjen e kritereve, në mënyrë që vendi të jetë më afër kualifikimit për heqjen e vizave të Shengenit. Ministri i i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti tha se Kosova teknikisht nuk është larg vendeve të rajonit përsa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. “Menaxhimi i integruar i kufirit është një nga kriteret. Ju e dini që Kosova ka avancuar në këtë drejtim, përkundër vështirësive që kemi në veri, Kosova tanimë ka adaptuar legjislacionin, kemi një strategji, kemi një plan veprimi, kemi një bord të instaluar në këtë drejtim dhe kemi rezultate efektivisht pozitive. Kosova tanimë nuk ka asnjë pikë të patrajtuar përsa i përket kritereve për liberalizimin e vizave që u caktohen vendeve të rajonit”,- tha ministri Pajaziti.
Lënia e Kosovës jashtë procesit për hyrjen në listën e bardhë të vizave Shëngen dhe nga ana tjetër, heqja e pritshme e vizave për qytetarët e Serbisë, sipas analistëve mund të joshë shqiptarët e Kosovës që të pajisen me dokumente serbe, në mënyrë që të udhëtojnë më lehtë në Europë. Autoritetet në Beograd kanë thënë se rreth 1500 qytetarë shqiptarë të Kosovës janë pajisur deri tani me pasaporta biometrike të Serbisë. Ky veprim konsiderohet i dëmshëm për konsolidimin e pavarësisë nga autoritetet kosovare.
Drejtoresha e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Venera Hajrullahu Kosova është vendi më i izoluar në rajon sa i përkët udhëtimit në vendet e Bashkimit Europian. Kjo sipas saj, e bën shumë të vështirë lëvizjen e individëve në çdo kuptim.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›