E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare pretendent për çmimin e Princit të Asturias në Spanjë



Kundera i cili e ka nisur karrierën letrare që në vitin 1965 duke botuar novelat e tij dhe duke tërhequr vëmendjen e personaliteteve të mëdha të kohës si Jean Paul Sartre dhe në anën tjetër, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, një njohës i shkëlqyer i traditës shqiptare dhe asaj ballkanike e i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme të botës janë pretendentët kryesorë të çmimit të madh të letrave “Princi i Asturias” që jepet sot në Oviedo të Spanjës. Kështu shprehet një e përditshme spanjolle në faqen e saj të internetit, ndërkohë që të tjera agjenci lajmesh nuk bëjnë Milan Kunderën për favorit por ama “shtrëngojnë” emrin e Kadaresë krahas japonezit Haruki Murakami dhe uruguajanit Eduardo Galeano. Janë plot 31 kandidatë të cilët u përkasin 25 shteteve të ndryshme që garojnë për çmimin “Princi i Asturias në Letërsi”. Në listën e nominimeve është edhe shkrimtarja hungareze Agota Kristof, italiani Antonio Tabuchi, shkrimtarja meksikane Elena PoniatoWska etj. Çmimi në fjalë, me vlerën 50 mijë euro mund t’i jepet një personi, grupi njerëzish, institucioni krijues apo kërkimor që përfaqëson një kontribut të çmuar dhe domethënës në kulturën universale të letrave dhe të gjuhësisë. Ky çmim prestigjoz është dhënë për herë të parë në vitin 1981, ndërkohë që fituesja e tij për vitin e kaluar është shkrimtarja e njohur Margaret AtWood, e para saj, izraeliani Amos Oz. Fitues të tjerë të këtij çmimi ndër vite janë José Hierro, Juan Rulfo, Ángel González, Mario Vargas Llosa, Camilo José Cela, Claudio Rodríguez, Carlos Fuentes, Francisco Umbral, Günter Grass, Augusto Monterroso, Doris Lessing, Arthur Miller, Susan Sontag, Claudio Magris, Paul Auster etj. Juria që ka nisur punën që dje dhe sot pritet të shpallë përfundimisht fituesin është e përbërë nga emra të njohur të fushës, kritikë, fisnikë spanjollë, shkrimtarë e akademikë të njohur në rrethet ndërkombëtare etj. Sa i takon shteteve që përfaqësohen nga shkrimtarët e nominuar për këtë vit, ato janë Shqipëria, Argjentina, Belgjika, Kanadaja, Kuba, Çekia, Kili, Franca, Hollanda, Hungaria, Irani, Irlanda, Italia, Japonia, Maqedonia, Meksika, Nigeria, Peruja, Polonia, Portugalia, Rumania, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uruguai dhe natyrisht, vendi organizator, Spanja.
P. GROSI

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›