E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e bankës, personi tentoi të përsërisë skenarin e një viti më parë

Policia tha se grabitësi mund të ketë qenë i mirinformuar për elementët e sigurisë së bankës. Në 2009 pesë herë u grabitën banka dhe agjenci të këmbimit valutor

Luan Kondi

Tiranë – Pas sulmit për herë të dytë brenda një viti në filialin e një banke në sheshin “Rilindja” pranë Zogut të Zi, policia mendon se kemi të bëjmë me së paku me një person të vetëm që përsëriti grabitjen e së njëjtës bankë si një vit më parë. Policia dyshon se grupet e grabitjeve kohët e fundit janë shtuar shumë, dhe më së shumti, kemi të bëjmë me një bandë kriminale që ndahet me pjesë, dhe kryen grabitje të dhunshme, kryesisht të bankave dhe agjencive të këmbimit të parave. Brenda këtij vitit është hera e pestë që kryhen sulme grabitëse ndaj bankave dhe disa herë të agjencive të këmbimit valutor. Autorët e tyre asnjëherë nuk janë kapur nga policia.
Ngjarja
Një person i pamaskuar, por me një pistoletë në dorë, ka hyrë dy ditë më parë dhe ka terrorizuar personelin e bankës, por brenda pak sekondave është larguar duarbosh sikur ta kishte sinjalizuar ndokush se ishte nisur policia për ta kapur. Bëhet fjalë për personin që grabiste bankat vetëm në ditë të premte, por që tani duket se e ka ndryshuar ritin. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesdite, thuajse në të njëjtën orë me ngjarjen e 20 qershorit të vitit të kaluar, kur në bankë janë grabitur rreth 1 milion lekë të reja. Grabitja duket se ka sjellë pasoja të rënda psiko-logjike për sportelisten e agjencisë bankare, e cila ishte e njëjta që ishte detyruar të dorëzonte lekët me pistoletë te koka një vit më parë. Burime policore thanë se grabitësi besohet të ketë qenë i mirinformuar për elementët e sigurisë së bankës dhe e ka kuptuar se dikush aty kishte shtypur butonin e sinjalizimit të policisë dhe ka dalë në fraksion sekondash. Shërbimet e Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por pa mundur të kapin autorin, i cili dyshohet se është larguar fillimisht me këmbë dhe më pas me ndonjë automjet që e priste. Policia ka shpërndarë imazhet e autorit të përftuara nga kamerat, ku duket qartë se si ai u shmanget atyre. Policia konfirmon se ka një të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim.
Dëshmitë
Sipas dëshmive të marra, kanë qenë një djalë me moshë të re, i cili pa maskë në fytyrë, por me syze dielli të errëta, ka hyrë nga porta kryesore si “klient” dhe në çast kërkuan që t’u dorëzohen paratë e arkës. “Agresori mbante në dorë një armë, pistoletë dhe kërcënonte se do të hapnin zjarr”, - bënë të ditur burime policore. Në momentet e shumëpritura për të marrë paratë, një sinjal i beftë alarmi, e ka detyruar grabitësin të linte gjithçka dhe të dilte menjëherë jashtë. Duke mos pritur për asnjë sekondë, grabitësi “i pafat”, ka lënë situatën në dorë të klientëve dhe personelit të bankës dhe ka dalë jashtë me vrap duke u zhdukur në rrugicat pranë “Don Boskos”.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›