Përleshje me thika në kinostudio, plagoset rëndë 22- vjeçari
Tiranë- Përleshja me thika mes dy grupe të rinjsh në Tiranë ka rrezikuar seriozisht jetën e një 22-vjeçarit Shpresim Hasaj. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në zonën e Kinostudios kur dy grupe të rinjsh janë grindur me njëri tjetrin për motive banale. Më pas grindja degradoi në një përleshje duke përdorur edhe thikat. Për pasojë, 22-vjeçari Hasaj ka marrë disa plagë në trup dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se Hasaj është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka identifikuar autorin dhe është në kërkim të tij, por për arsye hetimi nuk bën të ditur identitetin e tij.
Kapshticë, emigrantët vijnë për të votuar në zgjedhjet parlamentare
KORÇË - Emigrantët i drejtohen sërish pikave kufitare të vendit, këtë herë për të marrë pjesë në votimet e 28 qershorit. Ministria e Brendshme Greke, që nga data 16 qershor, njeh lëvizjen e lirë të emigrantëve shqiptarë për në vendin e tyre duke i krijuar kështu lehtësirat për pjesëmarrje në votime. Që nga data 16 qershor, afati i fillimit për hyrjen e emigrantëve në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë që njihet nga pala greke, kanë hyrë në vend kalimin kufitar të Kapshticës (Devoll) mbi 14 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë. Vetëm në 24 orët e fundit, sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë, janë regjistruar në hyrje për në Shqipëri 2801 persona dhe 728 automjete. Emigrantët e ardhur nga Greqia nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kapshticës, në pjesën më të madhe të tyre deklarojnë se kanë ardhur në atdhe për të marrë pjesë në votime, duke shprehur kështu dëshirën e tyre për të shprehur vullnetin e lirë në zgjedhjet e 28 Qershorit. Ata u shprehën se shpresojnë që vota e tyre të ndikojë sa më pozitivisht për të ardhmen e vendit dhe mirëqenien ekonomike pasi një ditë jo të largët do të kthehen përfundimisht në atdheun e tyre. Sipas autoriteteve të policisë kufitare në Kapshticë, numri më i madh i emigrantëve të ardhur nga Greqia për të marrë pjesë në votime, pritet të regjistrohet ditën e premte dhe në fundjavë. Nga ana e kësaj policie, janë marrë që tani masat për lehtësimin e procedurave të kalimit në kufi për emigrantët që do të qarkullojnë gjatë këtyre ditëve me rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
24 Qershor 2009