Irani nuk anulon zgjedhjet, betimi i Ahmadinexhadit pas 26 korrikut
Trupi më i lartë legjislativ i Iranit, Këshilli i Rojeve, ka hedhur poshtë çdo anulim të zgjedhjeve të kontestuara të 12 qershorit, në të cilat, sipas autoriteteve, fitues doli Mahmud Ahmadinexhad i cili do të bëjë betimin si president i vendit në fund të korrikut ose 20 ditëshin e parë të gushtit. Ahmedinexhad fitoi me 63 për qind në zgjedhjet e 12 qershorit të akuzuara nga lideri opozitar Mir Hosein Mousavi si të parregullta. Televizioni shtetëror citoi zëdhënësin e Këshillit të Rojeve të ketë thënë se organizata “nuk ka gjetur shkelje apo mashtrime të mëdha në zgjedhjet”. Për pasojë, Abas Ali Kadohadei tha se rezultatet nuk mund të anulohen. Sfiduesi i presidentit Mahmud Ahmadinexhad, Mir Hosein Musavi ka akuzuar se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe këmbëngul se ai është fituesi i vërtetë, kurse përkrahësit e tij kanë organizuar protesta të mëdha. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka bërë thirrje që t’u jepet fund arrestimeve, kërcënimeve dhe përdorimit të forcës kundër civilëve në Iran, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale. Deklarata e tij u bë pasi forcat e sigurisë në Teheran sulmuan rreth 200 protestues, të cilët i bënin homazhe një gruaje, vrasja e së cilës u xhirua dhe pamjet u shfaqën në tërë botën. Ndërkohë, në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama është “prekur” nga pamjet televizive të njerëzve në Iran, të cilët po marrin pjesë në protestat.
24 Qershor 2009