Përgjaken rrugët, vdes 50-vjeçarja, plagosen pesë persona
Tiranë – Një i vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i tre aksidenteve që ndodhen dje në Kavajë, Sarandë dhe Elbasan. Moszbatimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve, si dhe pakujdesia e kalimtarëve, vazhdojnë të përgjakin rrugët në vend. Një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i plagosur paraditen e sotme, të mbikalimi i varrezave në superstradën Kavajë-Golem. Sipas policisë, automjeti kamionçinë tip Iveko me targa italiane CP467YP, i drejtuar nga shtetasi Mirand Bisku, ka dalë nga rruga duke u përplasur me bankinën anësore të superstradës. Si pasojë e humbjes së kontrollit, mjeti ka marrë përpara një grua rreth të 50-tave, duke e lënë të vdekur në vend. 50-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur nga policia, është dërguar në morgun e Durrësit. Në aksident ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit Mirand Bisku, i cili mbahet nën mbikëqyrjen e policisë në spitalin e Durrësit. Nga hetimet paraprake, mësohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e automjetit.
Në një tjetër aksident automobilistik në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë, në fshatin Gjocaj, dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Një makinë është përplasur me një motor në të cilin udhëtonin shtetasit Gledi Sinemati, 19 vjeç nga Pekishti i Peqinit dhe kushëriri i tij Resmi Ferhati, 20 vjeç nga Belshi të cilët kanë mbetur të plagosur dhe aktualisht ndodhen në koma. Të dy të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë ne spitalin rajonal ku më rëndë paraqitet gjendja e 20-vjeçarit Ferhati, i cili u transportua për në Spitalin Ushtarak të Tiranes. Policia po punon për identifikimin e drejtuesit të autoveturës, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimeve ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e dy mjeteve ajo që ka shkaktuar këtë aksident të rëndë.
Një aksident tjetër rrugor ndodhi dje paradite në aksin rrugor Sarandë -Gjirokastër. Si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara një maune është përplasur me një fuoristradë. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, një burrë dhe një grua. Ndërhyrja e forcave të policisë dhe atyre të ndihmës së shpejtë ka bërë të mundur dërgimin e menjëhershëm të dy plagosurve në spitalin e Sarandës. Ky aksident shkaktoi edhe bllokimin për rreth një orë të këtij aksi rrugor.
24 Qershor 2009