E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja, gati lejen e veçantë për emigrantët legalë

Rikthehet pas dy vjetësh Direktiva për lejen unike të punës dhe qëndrimit. Të gjitha përfitimet e shtetasve që jetojnë dhe punojnë në çdo vend anëtar

Pas dy vjetësh është rikthyer edhe një herë debati për miratimin e lejes së veçantë të qëndrimit dhe punës për emigrantët legalë në vendet anëtare të BE-së. Miratimi i saj do të shënojë një tjetër hap pozitiv të Brukselit në politikat e migrimit legal, ku përfitues do të jenë edhe shqiptarët (mbi 1 milion jetojnë në Greqi, Itali, Francë, Britani, Gjermani etj). Këshilli i BE-së, gjatë këtyre dy ditëve, po zhvillon një debat politik rreth propozimit për krijimin e një procedure të vetme aplikimi për një leje të veçantë për shtetasit e vendeve të treta që banojnë dhe punojnë në një shtet anëtar dhe të përgatitet një paketë të drejtash të përbashkëta për personat që punojnë legalisht në BE.
“Propozimi i përgatitur në vitin 2007 dhe i paraqitur nga Komisioni Europian ishte në qendër të debateve të vazhdueshme përgjatë disa presidencave të mëparshme drejt një niveli thelbësor të marrëveshjeve rreth një numri të madh draftesh të mëparshme”, - thuhet në njoftimin zyrtar të dalë dje. Tani është presidenca çeke e BE-së që rimerr në dorë çështjen dhe ka rastin të shënojë një hap përpara në politikat ndaj emigrimit legal.
Shkëmbimi i pikëpamjeve në Këshill do të bëhet në bazë të tekstit për të cilin është arritur kompromisi nga presidencat e deritanishme të Bashkimit Europian dhe pritet të fokusohet në mbajtjen e çështjeve politike të diskutueshme, të tilla si shtrirja e Direktivës, me një synim për të qartësuar kategoritë e shtetasve joanëtarë të BE-së, të cilët garantojnë një leje të veçantë dhe që mund të pranohen në tregun e punës sipas dispozitave që do të miratohen.
Drafti i marrëveshjes
“Ky propozim duket se do të thjeshtojë procedurat e pranimit për qëllimin e punës, duke kontribuuar në këtë mënyrë për një emigrim më të mirëkontrolluar. Për të qenë efektiv ai parashikon një sistem "one-stop-shop" për shtetasit e vendeve të treta, që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në një shtet anëtar”, - thotë njoftimi zyrtar i Presidencës çeke të BE-së. Ajo merr parasysh procedurën e vetme të aplikimit në lidhje me thjeshtimin, shkurtimin e kohës dhe lehtësimin e procedurave; qoftë për punëdhënësin, qoftë për emigrantët.
Kushtet në vijim, të cilat do të pranohen nga shtetasit e vendeve të treta, nuk janë përcaktuar në propozim, që mbeten një çështje kombëtare për çdo vend. Nëse garantohet një gjë e tillë, leja për të qëndruar dhe punuar do të jetë çështje e një veprimi të vetëm. Leja e veçantë do të jetë në harmonizim me formatin ekzistues të BE-së për lejet e qëndrimit për rezidentët.

Duke ditur se legalisht punësimi i shtetasve të vendeve të treta kontribuon në ekonominë europiane, në të njëjtën mënyrë si dhe shtetasit e BE-së, propozimi garanton më tepër bazë ligjore për punonjësit e huaj në lidhje me të drejtat social-ekonomike, në trajtimin e barabartë me shtetasit e BE-së.

Përfitimet nga Marrëveshja
Marrëveshja e njëtrajtshme do të përfshijë kushtet e punës, të shëndetit dhe mbrojtjes në vendin e punës, edukimin, trajnimin profesional, njohjen e kualifikimeve, sigurinë sociale dhe transferimin e pensioneve. Ajo siguron për: një leje të vetme banimi dhe pune; një procedurë të vetme aplikimi; të drejtat që i bashkëngjiten kësaj leje; një grupim të drejtash për të gjithë punonjësit e vendeve joanëtare të BE-së, që tashmë janë pranuar, por që nuk kanë siguruar statusin e qëndrimit afatgjatë.
Zgjatja ose heqja e kësaj lejeje vendoset nga shteti anëtar ku është lëshuar. Ky propozim u intereson shtetasve të vendeve joanëtare të BE-së, që iu është shtyrë në një masë kontrata e shërbimit në territorin e shtetit anëtar të BE-së te shtetet e tjera në të cilat ata punojnë normalisht; që janë transferuar brenda kompanisë së tyre; që janë punonjës sezonalë, që kanë aplikuar për statusin e refugjatit, që kanë kërkuar statusin për lejen e qëndrimit afat-gjatë; që heqja e të drejtës së leje-qëndrimit ka qenë e përkohshme. Secili shtet anëtar do të përcaktojë një autoritet kompetent që merr aplikimet dhe çështjet e lejes së veçantë. Ky autoritet shqyrton të gjitha aplikimet dhe jep arsyet për vendimet negative, në rast se është e nevojshme. Aplikanti e merr njoftimin me shkrim për vendimin e autoritetit kompetent dhe mund ta ankimojë atë përpara gjykatave. Për përgatitjen e lejes së veçantë është marrë për bazë rregulli i Komisionit Europian i datës 13 qershor 2002.
Çdo shtet anëtar do t’i komunikojë Komisionit dhe shteteve të tjera anëtare të dhëna për numrin e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së të cilët kanë siguruar leje punësimi/banimi, e kanë të refuzuar ose të zgjatur, duke treguar edhe shtetësinë e tyre dhe angazhimet. Komisioni do t’u raportojë Parlamentit të BE-së dhe Këshillit çdo 3 vjet për aplikimin e Direktivës dhe do t’u propozojë çdo ndryshim nëse është e nevojshme. Kjo nismë e BE-së për përmirësimin e politikave të migrimit vjen pas një sërë nismash të tjera ligjore, si miratimi i Kartës Blu, garantimi i të drejtave për fëmijët e emigrantëve, marrëveshjet për lehtësimin dhe liberalizimin e regjimit të vizave etj.

PËRFITIMET E APLIKANTËVE

1. Hyjnë, rihyjnë dhe qëndrojnë në shtetet anëtare që e pranojnë lejen
2. Të lëvizin lirshëm brenda shteteve anëtare
3. Të kalojnë përmes shteteve të tjera anëtare
4. Autorizohet veprimtaria dhe aktiviteti nën një leje të veçantë

PIKAT E MARRËVESHJES
1. Kushtet e punës
2. Anëtarësim në unionet dhe organizatat e punës
3. Edukim dhe trajnim profesional
4. Njohje të diplomave
5. Siguri sociale, duke përfshirë përkujdesin shëndetësor
6. Akses te mallrat dhe shërbimet, duke përfshirë procedurat për sigurimin e strehimit dhe asistencën që duhet t’i japin zyrat e punës
7. Lehtësim taksash

Brenda prillit miratohen kërkesat për punonjësit sezonalë në Itali

Brenda dy javëve të para të muajit prill pritet të dalë dekreti i flukseve për punëtorët sezonalë, i cili do të mundësojë hyrjen në Itali të 80 mijë punëtorëve të huaj, të cilët do të punojnë në sektorë të ndryshme të ekonomisë së vendit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kjo procedurë po bëhet shumë shpejt për shkak të nevojave për krah pune që kanë sektorë të tillë si bujqësia, turizmi dhe ndërtimi. Të gjitha procedurat e aplikimit do të bëhen on-line për të shmangur abuzimet, apo radhët e gjata nëpër posta dh sportele.
Ashtu si dhe për vitin e shkuar, Dekreti do të lejojë marrjen si punëtorë sezonale të qytetarëve jokomunitarë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Kroacia, India, Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka dhe Ukraina, dhe aq më tepër punëtorë nga vende që kanë nënshkruar ose janë gati për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit përsa i përket migracionit. Gjithashtu do të punësohen edhe qytetarët e huaj jokomunitarë, që zotërojnë një leje qëndrimi për punë të ndërvarur sezonale për vitet 2006, 2007 ose 2008. Sipas një raporti te Caritas/Migrantes, 10% e punëtorëve që punojnë në agrikulture janë jokomunitarë dhe ata u përkasin 155 kombësive të ndryshme. Gjithsesi, vendin e parë për punëtorë sezonale që vijnë në Itali për të punuar në bujqësi e zënë shqiptarët, me 15%. Pas tyre vijnë rumunët, me 12 % dhe për çudi, vendin e tretë e zënë indianët, me 10%. Ata gjejnë punë sidomos në sektorin e rritjes së kafshëve në veri, se janë të specializuar për mbarështimin e lopëve.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›