E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e panjohur e Delijorgjit, Prokuroria sekuestron dokumentet

Ortakët shqiptarë të biznesmenit në firmën “Trans Digging Construction”. Organi i akuzës nis verifikimin e aseteve dhe pronave për llogari të firmës

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme sekuestroi fundjavën e kaluar në QKR dokumentacionin e firmës “Trans Digging Construction”, në të cilën 20 për qind të aksioneve i zotëron biznesmeni i pandehur si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji. Ndonëse hetonte prej një viti aktivitetin tregtar të Delijorgji, organi i akuzës është njohur mbi ekzistencën e kësaj firme rreth tri javë më parë. Pas sekuestros së dokumenteve, organi i akuzës ka nisur verifikimin e aseteve, pronave dhe kontove bankare që mund të ekzistojnë për llogari të kësaj firme. Gazeta “Albania”, pasi ka mësuar emrin e firmës në fjalë, mundi të siguronte pranë regjistrit tregtar të dhënat bazë të saj, duke zbuluar për herë të parë ortakët shqiptarë të Delijorgji, i cili në tri firmat e tjera të tij (“Albademil”, “Përparimi sa” dhe “Park Construction”) ose rezulton thjesht administrator ose në ortakëri me shtetas amerikanë dhe grekë. Dokumentet zyrtare të depozituara nga ortakët e kësaj firme sqarojnë se kompania “Trans Digging Construction” u krijua në ditën e Shën Valentinit të vitit 2006. Në momentin e themelimit ishin gjithsej pesë ortakë, të cilët dispononin në mënyrë të barabartë nga 20 për qind të aksioneve të kompanisë.
Ortakët
Pesë aksionarët e kompanisë “Trans Digging Construction” janë vëllezërit Delijorgji (Mihal dhe Kristo), vëllezërit Mata (Martin dhe Ervin) si dhe familjarja e një botuesi të njohur shqiptar. Në statut përcaktohet dhe objektivi i kompanisë, e cila “ka si objekt të përgjithshëm të veprimtarisë së saj aktivitetet në fushën e gërmimeve të tokës me qëllim ndërtimin e objekteve të banimit dhe veprave të ndryshme ndërtimore si dhe transportin e dherave të gërmimeve të tokës e materialeve inerte”. Pra, duket qartë se prej tre vitesh kompania në fjalë operon në tregun e ndërtimeve. Prokuroria e Përgjithshme dhe Avokati i Shtetit njoftuan pak kohë më parë se kishin interes në zbardhjen e pronave dhe pasurive të Delijorgji, si një mënyrë për dëmshpërblimin e dëmeve kolosale në njerëz dhe prona si pasojë e shpërthimit tronditës në Gërdec. Kjo është dhe arsyeja që Prokuroria tashmë ka nisur interesimin në hipoteka dhe në banka për të mësuar gjithçka në lidhje me asetet e firmës.
Dhurimi
Aktiviteti i kompanisë “Trans Digging Construction” mund të ndahet në dy faza. Faza e parë është ajo e themelimit të saj që daton më 14 shkurt 2006, ndërsa faza e dytë daton më 16 shkurt 2009, ku në bazë të një kontrate dhurimi dy vëllezërit Mata transferuan aksionet e tyre (në total 40 për qind) te zonja Flora Xhillari. Kjo kontratë dhurimi është bërë në një moment kur Dlijorgji ndodhej në ambientet e paraburgimit, ndërsa organi i akuzës kishte përmbyllur “filtrimin” e aktivitetit të tij tregtar. Nuk ekzistojnë shumë të dhëna në lidhje me aktivitetin tregtar të ortakëve të Delijorgjit, megjithatë “Albania” siguroi dokumente që provojnë se njëri prej tyre, Martin Mata, (i cili i dhuroi 2 muaj më parë aksionet e tij), është menaxher i “Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve” (AAEF), madje një menaxher i rëndësishëm, pasi në faqen zyrtare të Fondit, Martin Mata përshkruhet si “Zyrtar i lartë i ekipit të Menaxhmentit”. Sikundër dihet, “Fondit Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve”, së bashku me kompaninë franceze “Sagem”, janë bashkëpronarë të konsorciumit “Aleat”, i cili është dhe koncesionari për prodhimin e kartave të identitetit në Shqipëri. Martin Mata ka qenë përfaqësues ekskluziv i “Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve” dhe ka nënshkruar për llogari të këtij Fondi ditën e krijimit të konsorciumit “Aleat”.

Ina Rama, “dush të ftohtë” prokurorëve për hetimin

Kur organi i akuzës siguroi të dhënat për ekzistencën e kësaj firme të panjohur më parë, ngjarja u shoqërua me një mbledhje urgjente në zyrën e kryeprokurores Ina Rama. Të pranishëm ishin hetuesit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, ndërsa zonja Rama ka kritikuar ashpër grupin hetimor për zbulimin e vonë të këtij aktiviteti tregtar të Delijorgjit. Burime nga organi i akuzës i thanë “Albania”-s se hetuesit janë njohur me ekzistencën e kësaj kompanie në mënyrë rastësore, thuajse aksidentale. Gjatë mbledhjes me kryeprokuroren Ina Rama, të zhvilluar javën e kaluar, janë diskutuar edhe mundësitë e trajtimit të këtij elementi të ri, në kushtet kur dosja “Gërdeci” ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Mësohet se në vëmendje të prokurorëve janë pasuritë që disponon kjo kompani, por nuk do të mungojnë dhe hetimet e detajuara në lidhje me çdo aktivitet bankar apo në lidhje me cilindo kontraktor, blerës, apo dhe shitës që ka pasur marrëdhënie tregtare me këtë kompani. Deri sot ka qenë shumë e vështirë për hetuesit që ta konstatonin Delijorgjin si pronar të ndonjë firme. Ai rezultonte bashkëpronar vetëm në firmën “Albademil” që operonte në Gërdec. Firma “Albademil” e ka pushuar aktivitetin dhe nuk ka të ardhura në llogarinë e saj bankare. Përveç kësaj firme, Delijorgji është i lidhur me kompanitë “Përparimi sa” dhe “Park Construction”, por te këto firma ai rezulton të jetë vetëm administrator dhe jo pronar i tyre. Aktivitetet që ai administronte zyrtarisht janë në pronësi të firmave të tjera, të regjistruara në Qipro dhe Afrikë, ku pronarët janë grekë, anglezë dhe amerikanë. Zbulimi i kompanisë “Trans Digging Construction” bën që Prokuroria të ketë për herë të parë në dorë ekzistencën e një aktiviteti tregtar në të cilin Delijorgji është bashkëpronar dhe jo vetëm administrator.

Regjistri tregtar, firmat e Delijorgjit me bazë në Qipro dhe Afrikë

Shoqëria “Përparimi sa” është një ndër kompanitë që Delijorgji ka administruar. Ai ishte ortak në këtë kompani kur ajo u themelua në vitin 1993, së bashku me ortakët e tjerë me shtetësi greke, Spiridhon Simandiris dhe Kostandinos Vllahojanis. Në vitin 1998, dy ortakët grekë i dhurojnë aksionet e tyre Kristo Delijorgjit, e tashmë Delijorgjët bëhen pronarë të vetëm të firmës “Përparimi sa”. Megjithatë, katër muaj pasi zyrtarizon zotërimin e aksioneve, Delijorgji i shet të tëra, së bashku me 12 aksione të Kristo Delijorgjit, te firma “Felmont Trading Limited”. Përfaqësuesit e rinj të firmës janë Aikaterini Donta dhe Kristo Delijorgji. Emri i Mihal Delijorgjit tashmë figuron vetëm si administrator i kësaj firme. “Përparimi sa” ishte firma nënkontraktore e “Elbo”-s, që në tetor të vitit 2004 kishte fituar tenderin për shitjen e skrapit dhe të çelikut që përfitohej nga demontimi i municioneve dhe mjeteve të artilerisë së rëndë, tender i bërë ky nga Ministria e Mbrojtjes. Një vit më vonë, shoqëria ndryshon sërish pronar. Kështu, në bazë të prokurave që mbajnë datat 2 shkurt të vitit 2006 rezulton se “Felmont Trading” përfaqësohej nga Giorgia Solonos, Hristos Pasalidhis dhe Aikaterini Donta. Po të njëjtët emra janë dhe që drejtojnë dhe përfaqësojnë edhe firmën “Feltex Holdings Limited”, që në maj të 2006-s blen aksionet e zotëruara nga “Felmont Trading Limited”. Në korrik të vitit 2005 krijohet në Tiranë shoqëria “Park Construction sa”. Delijorgji rezulton si administrator i kësaj shoqërie aksionare. Pronarë të saj janë “Mandalay Group Holdings” me qendër në ishujt anglezë të Virxhinias dhe “Brammer Ventrus co” me qendër në Liberi me 49 për qind të aksioneve, por që përfaqësohet nga Delijorgji. Firma e ndërtimit duket si një ndër nismat e radhës së tij për t’u përballur edhe më biznesin e ndërtimeve. Shoqëria, që ka dhe 51 për qind të aksioneve të firmës së ndërtimit, përfaqësohet nga Aikaterini Donta, e cila përfaqësonte dhe aksionet më të mëdha të shoqërisë “Përparimi sa”. Te firma “Park Construction”, një nga aksionarët është dhe një biznesmen anglez me prona në Liberi, i quajtur A. Abedje. Ai u bë aksionar i kësaj firme nëpërmjet aksioneve që zotëron shoqëria e tij liberiane “Brammer Ventures”. Kjo e fundit rezulton se është një sipërmarrje multimiliardere, që disponon anije gjigante të projektuara për transportin transoqeanik të sasive të konsiderueshme të skrapit dhe të metaleve.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›