E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja ka mjete për Ballkanin, por nuk ka kohë

Rruga drejt anëtarësimit në BE për shtetet ish-jugosllave do të jetë e gjatë dhe e lodhshme

“The Economist”

Një këngë e vjetër jugosllave i thur lavde unitetit të vendit nga Vardari, lumi që kalon përmes Maqedonisë, deri në Triglav, mali më i lartë i Sllovenisë. Politikëbërësit e sotëm ish-jugosllavë, nga Vardari te Triglavi, janë sërish të bashkuar, por këtë herë në sfond. Në referendumin e djeshëm (të dielën, - shën. red.) 51.5 për qind e sllovenëve votuan për të aprovuar një marrëveshje të bërë nga qeveria e tyre me Kroacinë gjatë vitit të kaluar, për të dërguar në arbitrazh mosmarrëveshjet e tyre për vijën kufitare, të cilat janë të përqendruara rreth Gjirit të Piranit.
Kroacia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Europian brenda pak vitesh: Sllovenia, e vetmja republikë ish-jugosllave brenda në BE-së, ka bllokuar procesin e anëtarësimit të fqinjit të saj për shkak të këtij konflikti.
“Nëse qeveria sllovene do të humbiste në referendum, siç ishin të frikësuar shumë persona, ajo do të kishte qenë një dhuratë e mirë për të gjithë kundërshtarët e zgjerimit të BE-së, - shkruanin Gerald Knaus dhe Kristofer Bender të “think-tank”-ut Nisma e Stabilitetit Europian. Dështimi lidhej me një çështje relativisht të drejtpërdrejtë të kufirit, që do të ishte një shenjë gjithnjë e më e keqe për konfliktet ende të pazgjidhura në pjesën tjetër të rajonit.
Por ende nuk ka ardhur koha për të hapur shampanjën. Ftesat e anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara me plot vështirësi.
Sipas një vlerësimit të ri të shefit të Tribunalit të Krimeve të Luftës në Hagë, as Kroacia dhe as Serbia nuk kanë realizuar të gjitha kërkesat e parashtruara nga kjo gjykatë (megjithatë, ata mund të kenë bërë mjaft për të lëvizur më lart, drejt procesit, kur pritet të takohen ministrat e Jashtëm të BE-së, më 14 qershor).
Maqedonia, për të cilën Komisioni Europian ka rekomanduar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për shkak të konfliktit për çështjen e emrit me Greqinë, i cili po vazhdon për një kohë të gjatë
Ndarjet etnike të Bosnjës po e dëmtojnë ende vendin. Ndërsa Kosova nuk ka nisur ende procesin formal të anëtarësimit. Policia e BE-së ka bastisur zyrat e një ministri dhe të disa zyrtarëve të tjerë që dyshohet se janë të zhytur në korrupsion. Mali i Zi ka nevojë që të bëjë më tepër për çrrënjosjen e krimit të organizuar.
Ndoshta problemi më i mprehtë është çështja e statusit të Kosovës dhe përpjekjet e Serbisë në drejtimin e saj. Pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ambasadori britanik në Beograd theksoi gjatë një interviste në një gazetë se nëse Serbia gjatë procesit të anëtarësimit në BE nuk heq dorë nga pretendimet ndaj ish-krahinës së saj, kjo mund të jetë problematike për 22 shtetet e tjera anëtare të Unionit që e kanë njohur Kosovën.
Pastaj, dështoi në mënyrë pak të çuditshme edhe Samiti i planifikuar shumë kohë më parë i datës 2 qershor, në Sarajevë, mes ministrave të Jashtëm të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. “Sot në Sarajevë, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor vendosën për një marrëveshje të re”, - tha ministri i Jashtëm i Spanjës Miguel Ángel Moratinos. Është e vështirë për të parë se kujt iu referua ai.
Pavarësisht këtyre problemeve, është fakt se BE-ja po mundohet në mënyrë shpresëdhënëse që të jetë në favor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, krejt ndryshe nga shtete të tjera aspirante për në BE, siç është Turqia. Me përjashtimin e Kroacisë, realisht asnjëri prej këtyre shteteve nuk mund t’i bashkohet BE-së para vitit 2020. Por, në një raport të përgatitur nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë theksohet: “Premtimi i integrimit europian është një ‘ngjitës politik’ që ka mbajtur deri tani të bashkuar Ballkanin”.
Nëse shtetet anëtare vazhdojnë të shtyjnë anëtarësimin në një të ardhme të papërcaktuar, ato rrezikojnë të pengojnë ndërmarrjen e hapave në drejtim të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Bashkimi Europian ka shumë mjete që të motivojë shtetet e Ballkanit, por nuk ka shumë kohë në dispozicion për t’i përdorur ato.

Shkrimi është marrë nga revista “The Economist”. Titulli është redaksional
Përgatiti: A. Gjoka

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›