Shqiptari vdes sepse nuk u pranua në spital
LUBJANË - Në Slloveni vazhdojnë të mbahen të ndezura debatet lidhur me rastin e një shtetasi shqiptar nga Maqedonia, i cili humbi jetën pasi iu mohua shërbimi shëndetësor në ketë vend për shkak se ai nuk figuronte i regjistruar në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ferit Saiti kishte shkuar për kontroll mjekësor në Lubjanë, por ai nuk kishte 20 euro me vete për të kryer kontrollin. Gjithashtu nuk ishte pjesë e skemës së sigurimeve në ketë vend. 48-vjeçari nga Tetova humbi jetën të shtunën, dy orë pasi ishte paraqitur për ndihmë në spital. Ky rast ka ngjallur debate tek autoritetet. Së fundi, ministri i Shëndetësisë, Andrej Marushiç, ka shprehur keqardhje për rastin, duke urdhëruar kontroll të detajuar të procedurave mjekësore lidhur me pacientin e vdekur nga Maqedonia. Rregullat janë të qarta për të gjithë, tha ministri, ku sipas tij, kur bëhet fjalë për raste emergjente, fillimisht mjekët duhet të kontrollojnë pacientin dhe më pas t’i bënin atij me dije pagesën. Marushiç tha gjithashtu se mbështet dhe propozimet e ministrit të Punës, i cili kërkoi masa më të rrepta ndaj punëdhënësve që nuk paguajnë sigurime shëndetësore për punonjësit. Policia sllovene po heton se a ka hapësirë për ngritjen e kallëzimeve penale për mjekët, Inspektoratin e Punës, për shkak se kjo e fundit duhet të mbante llogari për funksionimin e furrës së bukës ku punonte bukëpjekësi i ndjerë.
9 Qershor 2010