E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi që lulëzon! Tregtia me njerëzit dhe viktimat e harruara



Trafikimi i qenieve njerëzore aktualisht është një biznes në lulëzim. Tregtia ka arritur tashmë ato dimensione që ka tregtia e drogës dhe ajo e armëve. Fenomeni ndeshet në të gjithë botën, viktimat ndihmohen shumë pak. Asnjë pasojë krize nuk ndjehet. Trafikantëve u shkojnë pazaret si jo më mirë. Kërkesa nuk është lëkundur. Logjistika, falë internetit, funksionon shumë mirë, rrjeti po ashtu. Këto kushte ideale për trafikantët, Joy Ezeilo do t'i tronditë nga themelet. Juristja nigeriane është raportuese e posaçme e Kombeve të Bashkuara për trafikimin e qenieve njerëzore dhe e vëzhgon me kujdes këtë treg: "Tregtia me njerëzit është një nga krimet që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Ajo vjen menjëherë pas tregtisë së drogës dhe të armëve. Bëhet fjalë për pazar miliardash. Detyra jonë është që këtë pazar ta bëjmë sa më të rrezikshëm për trafikantët, me qëllim që përfituesve t'u presim burimet".
Si ra Jana Kohut në grackën e trafikantëve
Për shkak se trafikimi është ilegal, ka vetëm vlerësime të përafërta për shkallën e përhapjes së tij. Shumë viktima druhen, kanë frikë nga policia dhe nuk i tregojnë autorët. Joy Ezeilo është e mendimit se çdo vit bëhen pre e trafikimit njerëzor rreth 1.5 deri 2.5 milionë njerëz. Njëra nga viktimat ka qenë edhe 30-vjeçarja Jana Kohut, nga Bosnja. Në kohën e një krize shpirtërore, Jana ra në shoqëri të gabuar dhe në grackën e trafikantëve. Në vjeshtën e vitit 2004 ajo u rrëmbye nga trafikantët. Ata e dhunojnë, izolojnë dhe i japin drogë pa dëshirën e saj. Katër muaj me radhë Jana punoi në Slloveni si prostitutë, derisa arriti të shpëtonte. Ajo që ka mësuar 30-vjeçarja boshnjake: një gjë e tillë mund të prekë këdo. Jana ka një lloj bindjeje se nga kjo preken vetëm njerëzit nga bota e tretë, apo femra pa shkollë, ose ato që rrinë të mbyllura e vinë nga fshatrat. “Por nuk është kështu. Tregtia me njerëzit, për fat të keq, funksionon shumë thjesht. Do të thosha mjafton një grup prej pesë vetash që të mbajnë gjallë për një kohë të gjatë një pazar të tillë dhe të fitojnë para të majme", - thotë ajo.
Cilat janë viktimat ideale për trafikantët
Trafikantët shfrytëzojnë gjendjen në nevojë të viktimave. Një gjendje e tillë mund të jetë varfëria apo një situatë konflikti e armatosur. Por edhe një mungesë shansesh apo të qenit tepër i lëndueshëm mund të bëjnë që njerëzit të bien shpejt pre e tregtarëve modernë të skllavërisë. Jean Philippe Chauzy, nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM), që kujdeset për riatdhesimin e viktimave të trafikimit ndërkombëtar, shprehet se nuk ka rëndësi nëse është fjala për shfrytëzim seksual, apo të krahut të punës; kjo tregti gjithmonë ndikohet nga marrëdhënia kërkesë-ofertë: "Me ngadalë, por në mënyrë të sigurt, po krijohet bindja se trafikimi është i komanduar nga kërkesa. Në fillim kemi klientët që kërkojnë një shërbim. Këtu bëhet fjalë për punë të zakonshme apo të ashtuquajturat shërbime seksuale. Për këtë arsye po punojmë në vendet origjinë, aty ku buron kërkesa, ku njerëzit skllavërohen. Tregtia me njerëzit jeton nga kërkesa dhe për shkak se kjo kërkesë ekziston, njerëzit shfrytëzohen".
Kundër mosangazhimit
Me trafikim kuptohet shfrytëzimi sistematik i njerëzve. Viktimat vihen në shfrytëzim përmes dhunës, kërcënimit apo trukeve të ndryshme. Kjo tregti lulëzon para së gjithash në rajonet ku ka hendeqe të mëdha mes shtresave sociale. Për këtë arsye, Joy Ezeilo kërkon që të merren më shumë në mbrojtje viktimat. Jana Kohut, që e di ç'do të thotë trafikim, e përshëndet çdo lloj mbështetje që jep shteti. Por, nga përvoja e saj, ajo ngre zërin edhe kundër dezinteresimit. Njerëzit duhet të angazhohen më shumë, të shohin me më tepër vëmendje. Me shumë habi ajo ka parë se sa angazhim ka në shumë qytete europiane për kafshët shtëpiake. Kjo ndjenjë përgjegjësie do të ishte mirë të ekzistonte edhe për njerëzit, kërkon Jana Kohut.

Fajdexhinjtë dhe borxhlinjtë
Marrëveshje të përfitimit joproprocional shpesh përfundojnë me kërcënime, shantazhe, tentativë vrasje e jo rrallë edhe me vrasje dhe vetëvrasje. Ndërsa ndër sfidat kryesore të Policisë mbetet raportimi i vonë i qytetarëve. Në Kosovë kontraktimi i përfitimit joproporcional, apo fenomeni i "dhënies së parave me fajde", është gjithnjë e më i shprehur. Sipas Policisë së Kosovës, ky biznes ilegal fitimprurës ka shtrirje më të gjerë në Rrafshin e Dukagjinit, ndërkohë që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në grupacione të tilla janë të përfshirë edhe figura të njohura publike. "Personat, të cilët merren me këtë veprimtari joligjore, janë edhe persona publikë që njihen nga qytetarët. Ndërsa huamarrësit janë më tepër pronarë biznesesh të vogla, që kanë borxhe të mëdha, që duhen kthyer në afate të shkurtra, apo që humbasin sasi të mëdha parash dhe duket në lojëra të fatit. Dhe kur ata nuk mund të kryejnë obligimet, pasojnë kërcënimet, rrahjet, tentativë vrasjeje, apo edhe vrasjet", - thotë Adem Lushaj, drejtor i OJQ-së SHIP në Deçan.
Dhe rrokullisja fillon kur qytetarë hallexhinj detyrohen t´i përgjigjen një detyrimi në një kohë të shkurtër. Edhe pse bankat ofrojnë forma të ndryshme kredish, për shkak të procedurave burokratike, të cilave u duhet nënshtruar në rast të tërheqjes së shumave të mëdha, këta qytetarë nuk mund t´iu drejtohen institucioneve legjitime bankare. Dhe kështu ata detyrohen të trokasin në dyert e personave që ofrojnë para të gatshme me kamata të larta, duke marrë përsipër njëkohësisht edhe rrezikun e shumëfishimit të borxhit që duhet kthyer në afate strikte. Në pamundësi të kryerjes së obligimit fillojnë kërcënimet, presionet e shantazhet, të cilat përfundojnë me konfiskimin e pasurisë, shuarje të biznesit e në mungesë të tyre, me qërim hesapesh, që shpeshherë përfundojnë me tragjedi. "Gjithsesi, ka pasur raste edhe të vrasjeve, pikërisht si pasojë e kontraktimit të përfitimit joproporcional. Kemi pasur raste kur huamarrësit, në pamundësi të kthimit të borxhit, kanë provuar të lëshojnë Kosovën; raste të vetëvrasjeve si pasojë e presioneve, shantazheve, kërcënimeve dhe detyrimeve, që kanë marrë viktimat nga personat, të cilët kanë dhënë fajde", - shpjegon Arbër Beka, zyrtar për informim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Sipas z.Beka, gjatë vitit 2009, për dyshim të kontraktimit për përfitim joporporcional janë raportuar 26 raste, përderisa brenda vitit 2010 janë gjithsej 11 raste, me ç´rast janë arrestuar individë, por edhe grupacione të dyshuara lidhur me këtë veprimtari të jashtëligjshme. Mirëpo sfidë për Policinë e Kosovës mbetet raportimi i vonë nga ana e qytetarëve, thotë Z.Beka, sipas të cilit: "Qytetarët hezitojnë të lajmërojnë rastet, meqenëse e konsiderojnë si çështje personale. Në shumicën e rasteve Policia e Kosovës pranon informatat, atëherë kur është shumë vonë, ose kur kalohet në forma të rënda të kërcënimeve dhe shantazhimeve nga personat e dyshuar te viktimat".
Raiffeisen Bank, e cila vitin e kaluar fitoi Çmimin Rajonal si Banka më e Mirë në Europën Qendrore dhe Lindore, ofron një gamë të gjerë shërbimesh kreditore për individë dhe biznese në Kosovë, me afat të kthimit prej 24 muaj deri në 180 muaj, varësisht nga llojet e kredisë. Oferta të ngjashme kanë edhe bankat e tjera që operojnë në Kosovë, mirëpo normat e interesit të kredive me mbi 13 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, mbeten më të lartat në rajon. E prapëseprapë çfarëdo kontrate me institucionet legjitime bankare është më e volitshme se kontratat e përfitimit joproporcional që kërcënojnë ekzistencën e familjes dhe jetën e vetë personit, mendon qytetari Nysret Shabani. "Për 25 mijë euro kredi, për tri vjet paguan 30 mijë euro, që do të thotë, 5 mijë euro i paguan kamatë. E 25 mije euro me fajde, a e dinë sa bëjnë? 125 mijë euro! Sipas Policisë së Kosovës, nga të gjashtë qendrat rajonale të Kosovës sivjet janë raportuar 11 raste të kontraktimit të përfitimit joproporcional, në të cilat prijnë Prizreni dhe Peja, ndërsa e ashtuquajtura "shifër e errët", apo rastet që nuk janë raportuar në polici, dyshohet të jenë me qindra. Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, dënimi me burgim për persona të dyshuar është deri në tre vjet. Ndërkohë të qindra eurot, të cilat me kamatat marramendëse për një kohë të shkurtër rriten në mijëra e në miliona euro, vazhdojnë të sjellin humbjen e pasurive, migrimin e familjeve, tentimvrasjet, vrasjet, por edhe vetëvrasjet e qytetarëve të Kosovës.
Marrë nga “Dojçe Vele”

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›