E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i adresave, Basha “u kërkon llogari” vendorëve



TIRANË - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u bëri apel njësive vendore më të ngadalta në zbatimin e projektit për sistemin e adresave që të realizojnë në kohë detyrat e përcaktuara. “Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara. Kjo situatë është akoma më e papranueshme dhe e patolerueshme në njësitë ku puna ka disa muaj që ka përfunduar. Bëj thirrje për ndërtimin së bashku të bashkëpunimit drejt një të ardhmeje europiane për Shqipërinë, për të cilën jemi angazhuar, pavarësisht nga ngjyrat politike, që me vendimmarrjet tona të përbashkëta dhe me bashkëpunimin tonë në nivel qendror dhe vendor ta përmbyllim edhe këtë fazë kaq të rëndësishme të implementimit të sistemit të adresave”, tha Basha.

Sezoni turistik, Policia e Durrësit, masa shtesë për rendin

DURRËS - Policia e Durrësit tha dje se nisur nga të dhënat e vitit të kaluar, ku përgjatë periudhës së sezonit turistik veror Durrësi u popullua nga një fluks pushuesish vendas e të huaj, janë marrë masa të ndryshme. Drejtoria e Policisë dhe ajo Rajonale për Kufirin e Migracionin Durrës përbëjnë aktorët të rëndësishëm në ruajtjen e rendit gjatë sezonit turistik. Ato janë përgjegjëse për aspekte shumë të rëndësishme të ecurisë së sezonit, siç është siguria në vendet e pushimit dhe në rrugë, rendi e qetësia publike, rritja e standardeve dhe lehtësimi i procedurave të kontrollit të PKK-ve, garantimi i pronës, ndihma në rast nevoje si në drejtim të informimit, ashtu dhe ngjarjeve aksidentale, rrezikut të mbytjeve në det, humbjes së fëmijëve në plazhe etj. Duke vlerësuar maksimalisht përgjegjshmërinë tonë, secila nga strukturat ka parashikuar në detaje e filluar zbatimin e masave që lidhen me profilin e shërbimit. Të dyja këto drejtori kanë hartuar plane të veçanta por edhe një plan të përbashkët masash, me detyra konkrete, të cilat synojnë t’i realizojnë në territoret nën juridiksionin e tyre.

Gjendet i varur në punishten e drurit 46-vjeçari

DURRËS - Një person është gjetur i varur në punishten e tij ditën e djeshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Arapaj, rreth 6 kilometra nga Durrësi. Lajmi është konfirmuar nga burime të Policisë së qytetit bregdetar. Sipas tyre, mësohet se 46-vjeçari me incialet N. E. është gjetur nga familjarët e tij i varur në punishten e tij të drurit ku ai punonte, ngjitur me shtëpinë. Mendohet se viktima e ka ndërmarrë aktin e vetëflijimit gjatë një momenti depresioni. Siç kanë bërë të ditur familjarët e viktimës, natën para se ai të gjendej i vdekur kishte fjetur në punishte. Të afërmit kanë thënë për policinë se nuk besojnë se ai mund të jetë vetëvrarë. Pikërisht nga këto pretendime, policia ka nisur hetimet dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›