Gjyqi ndaj Dritan Dajtit, avokati: “Nuk jam njohur me provat”
TIRANË - Gjykata ka vendosur që gjyqi në ngarkim të Dritan Dajtit të bëhet më 18 qershor. Shkak këtë herë është bërë avokati i të pandehurit, Arben Qeleshja, i cili ka kërkuar që të njihet me provat e organit të akuzës që janë kundër klientit të tij, pasi nuk ka pasur mundësi që të njihet me to, si dhe ka kërkuar një dëshmi, e cila i mungon në provat e dhëna nga prokurori. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Dritan Dajti, i cili ka mbërritur në gjykatë me karrocë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Dajti ka pohuar se një takim që ka pasur me avokatin është ndërprerë pasi ka mbërritur në gjykatë dhe s'ka pasur mundësi që të njihet me provat. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes, Eugen Beci, i cili ka pohuar se avokati ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u njohur me provat. Atij i janë vënë në dispozicion që në dhjetor të 2009-s, kur ka nisur edhe gjykimi i kësaj çështjeje, duke e konsideruar si të pabazuar në ligj kërkesën e avokatit, por ka shtuar se nëse mbrojtësi i Dajtit kërkon shtyrjen e seancës, atëherë duhet të pezullohen afatet e paraburgimit për të arrestuarit. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Dajtit për ndryshimin e trupit gjykues si të pabazuar në ligj. Ndërsa në seancën gjyqësore, përveç Dritan Dajtit, që ishte i pranishëm, ka qenë edhe shoku i tij, Ergest Xhorxhi, ndërsa ish-inspektori i policisë, Mariglen Muça, ishte i përfaqësuar nga avokati i tij. Dajti akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të Policisë në Durrës gjatë arrestimit të tij.
Masa e sigurisë
Mori 125 milionë lekë nga banka, “arrest shtëpie” financieres
LUSHNJË - “Arrest shtëpie” është masa që u mor ditën e djeshme nga Gjykata e Lushnjës ndaj arkëtares së një banke që akuzohet se grabiti 125 milionë lekë të vjetër nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. Vendimin e zbutur ndaj Ornela Tabakut, trupi gjykues e argumentoi për shkak të fëmijës së vogël që shtetasja në fjalë ka. Pas këtij vendimi pritet që Tabaku të hetohet nën masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. Ndërkohë familjarët e arkëtares kanë marrë përsipër zëvendësimin e parave që Tabaku ka shpenzuar gjatë kësaj kohe nga shuma e grabitur. Falë operacionit policor të koduar "Transferta e fundit", punonjësja e një banke u ndaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet se ka grabitur 125 milionë lekë të vjetër. Policia e Lushnjës disa ditë më parë ndaloi në banesën e saj në Lushnjë, Ornela Tabakun, me profesion financiere. Ajo dyshohet se ka grabitur me anë të mashtrimit shuma të mëdha parash në bankën private ku punonte. Të njëjtat burime thanë se bëhet fjalë për shifrën 125 milionë lekë të vjetër që Tabaku dyshohet se ia ka grabitur bankës. Tabaku kishte arritur të grabiste shumën marramendëse nga banka ku punonte duke tërhequr çdo muaj disa milionë lekë nga subjekte shtetërore e private dhe duke i kaluar në llogarinë e saj bankare me plot 12.5 milionë lekë të rinj. Hetimet kishin nisur fillimisht nga dyshimi i eprorëve dhe më pas hetimet e policisë ato që zbuluan vjedhjen. Gjatë operacionit policia sekuestroi shumën e mësipërme në cilësinë e provës materiale. Mbi Tabakun tani rëndon vepra penale e “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit”.
9 Qershor 2010