E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja në "këmbë" për rezolutën pro Kosovës


Burime diplomatike perëndimore i kanë konfirmuar gazetës Zëri që në ditët dhe javët në vazhdim pritet që Brukseli të marrë përgjigjet definitive nga të gjitha shtetet që e përbëjnë BE-në, të cilat po qe se do të jenë afirmative ndaj propozim-rezolutës për Kosovën, do të mundësonin që Unioni të dalë me qëndrim të përbashkët në Nju Jork.

Sipas këtyre burimeve, rezoluta do të dorëzohet, edhe nëse nuk pajtohet “pesëshja” evropiane, pasi që këtë thuhet se do ta bëjnë shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për të arritur konsensusin e plotë, sipas burimeve, problemin kryesor po e paraqet Spanja, për dallim nga katër vendet tjera që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës (Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro).

Sipas burimeve të gazetës, nëse do të arrihej uniteti i BE-së, Serbia do të gjendej në një situatë tejet të vështirë, sepse rezoluta serbe për fillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, e cila tashmë është proceduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të konfrontohej drejtpërdrejt me atë të BE-së, kështu që gjasat e diplomacisë serbe për të përfituar diçka do të ishin minimale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›