E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja prezanton makinat ekologjike



Christoph Hasselbach
Esat Ahmeti

BRUKSEL - Me nxitjen e prodhimit të të ashtuquajturave automjete ekologjike, Komisioni Europian dëshiron që me një goditje të vrasë dy zogj. Ajo planifikon të pakësojë lirimin e gazrave të dëmshme dhe t'i japë hov të ri industrisë europiane të automjeteve. Komisari për Industrinë, Antonio Tajani, theksoi se Komisioni është teknikisht neutral në lidhje me automjetet ekologjike. Disa vende anëtare të BE-së angazhohen para së gjithash për automjetet elektrike, por Komisioni angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të të gjitha teknologjive të makinave, edhe të atyre tradicionale.
"Strategjia për të ardhmen e automjeteve ka dy shtylla. Shtylla e parë ka të bëjë me automjetet me të ashtuquajtur motorë të nxehtë, nga të cilët ne duam që të lirohen gjithnjë e më pak gazra të dëmshme. Shtylla e dytë, e cila gjatë viteve të ardhshme do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme, ka të bëjë me motorët, të cilët, si lëndë djegëse nuk kanë as benzinën, as naftën".

Në fokus makinat elektrike

Është fjala për makinat elektrike, por edhe për makinat me hidrogjen, biogaz, apo biokarburante të lëngshme dhe teknologjinë hibride. Pastaj, sipas Tajanit, “tregu duhet të zgjedhë vetë se çfarë do të mbizotërojë. Komisioni do të mbështesë hulumtimet e të gjitha teknologjive premtuese. Megjithatë, në fokus, aktualisht, në mbarë botën janë makinat elektrike. Makinë elektrike, ngarkohet me rrymë, prodhim i BMW-së. Dhe në këtë mes Komisioni e sheh rolin e vet para së gjithash në standardizimin për shembull të baterive, respektimin e standardeve të sigurisë dhe nxitjen e krijimit të një infrastrukture mundësisht të përgjithshme europiane”, - thotë Tajani.

"Nëse udhëtoni me një makinë elektrike nga Brukseli në Luksemburg, atëherë duhet të keni mundësinë e mbushjes së baterisë si në Belgjikë, ashtu dhe në Luksemburg. Dhe nëse udhëtoni për në Strasburg, duhet të keni mundësinë e mbushjes të baterisë edhe në Francë. Kështu që ne duhet të merremi me problemin e standardizimit. Tema e standardizimit do të jetë në të ardhmen pika qendrore për aftësinë tonë konkurruese".

Sipas Tajanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina po subvencionojnë ndërkohë me miliarda zhvillimin e automjeteve elektrike. Tani me rëndësi është se kush do të sigurojë rolin prijës në botë në këtë fushë. Ministrat e Ekonomisë së BE-së do të vendosin për miratimin e strategjisë në muajin maj. Por fillimisht, në vitin 2011, Komisioni planifikon prezantimin e një plani për rrjetin e pikave për mbushjen e baterive dhe pikave alternative të karburanteve. Shumë shoqata për mbrojtjen e ambientit e shohin me skepticizëm këtë strategji. Ato kritikojnë se Komisioni po injoron çështjen se prej nga do të sigurohet energjia shtesë për makinat.

OBT, Shqipëria paraqet raportin për politikat tregtare

GJENEVË – Përmes zv.ministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, Shqipëria ka prezantuar në Organizatën Botërore të Tregtisë raportin e posaçëm për politikat tregtare të saj.
Ky raport është një dokument thelbësor i OBT-së dhe si i tillë është një dokument shumë i rëndësishëm për qeverinë shqiptare sepse prezanton klimën e të bërit biznes në Shqipëri, stabilitetin makro-financiar të vendit, liberalizimin e tregjeve të mallrave, produkteve bujqësore dhe të shërbimeve, reformat për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, shkallën e përafrimit të legjislacionit kombëtar me parimet e tregtisë së lirë të sanksionuara në marrëveshjen që themeloi OBT.
Zëvendësministri Eno Bozdo theksoi reformat e mëdha strukturore ekonomike të viteve të fundit, shpjegoi performancën e lartë dhe stabilitetin e admirueshëm makroekonomik të vendit, reformat e ndërmarra në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte, si dhe potencialin e Shqipërisë për të tërhequr investime në sektorët e turizmit, bujqësisë, transportit etj. Ndërsa në fjalën e tij të oponencës, si diskutues i raportit, ambasadori Major theksoi rëndësinë e reformave strukturore të thella, që mundësuan përballjen me sukses të krizës ekonomike globale.
Më pas diskutuan 15 vende të ndryshme, ndërmjet të cilave përfaqësuesi i BE-së, i SHBA-ve, i Kinës, Tajvanit, Kanadasë, Brazilit, Indisë, Pakistanit Koresë, Kroacisë, Maqedonisë etj.

Qeveria sakrifikon investimet publike për pagat dhe pensionet

TIRANË - Shpenzimet e buxhetit të shtetit gjatë tremujorit të parë të këtij viti u rritën në total me vetëm 816 milionë lekë në krahasim me një vit më parë, gjë që përbën një lajm të mirë, por problemi është se shpenzimet korrente, të cilat përfshijnë paratë që shkojnë për paga, pensione e interesa borxhi, u rritën me 4.6 miliardë lekë ose 8 për qind. Lajmi bëhet i ditur nga buletini fiskal i qeverisë i publikuar së fundmi. Kjo do të thotë se qeveria po sakrifikon investimet publike për të mbuluar shpenzimet e tepërta të krijuara nga vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve para zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe në mes të krizës financiare. Sipas të dhënave zyrtare, qeveria kreu shpenzime të domosdoshme prej 62.4 miliardë lekësh në periudhën janar-mars të këtij viti, nga 57.8 miliardë lekë që qenë shpenzuar një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet për investime u ulën me 3.8 miliardë lekë.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›