Hetimet, tre shqiptarë e tre grekë në pranga për grabitje
ATHINË - Një grup i përbërë prej gjashtë personash është arrestuar nga policia e qytetit të Thivës në Greqi. Bëhet fjalë për tre shqiptarë dhe tre vendas, të cilët kishin kryer një sërë grabitjesh në zonë. Akrepat e orës filluan të punojnë mbrapsht për gjashtë grabitësit, pas vjedhjes që kryen dy ditë më parë në Postën e fshatit Aliartu. Pas informacioneve dhe materialeve të mbledhura, policia arriti të gjejë banesën e gjashtë personave, të cilët e përdornin për të mbajtur armët dhe për të ndarë paratë. Gjatë aksioni policia ka mundur të vejë në pranga gjashtë të dyshuarit, ndërkohë që ka sekuestruar dhe shumën e parave që kishin grabitur në postë. Policia tha se kreu i këtij grupi grabitësish ishte një grek, ndërsa shqiptarët ishin anëtarë së bashku me dy shtetasit helenë. Ata dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh dhe grabitjesh, që janë duke u hetuar. Të arrestuarit janë shoqëruar për në qeli, ndërkohë që pritet të dalin para gjykatës që të njihen me akuzat dhe vendimin që do merret, për periudhën e paraburgimit.
Elbasan
Brenda një muaji u arrestuan 26 të kërkuar
ELBASAN - Brenda një muaji Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 26 persona të kërkuar për krime të ndryshme. Ishin burimet zyrtare nga uniformat blu lokale që thanë se, në muajin prill janë arrestuar shumë të dyshuar për krime. Mes 28 të arrestuarave janë dhe dy femra. 35-vjeçarja me inicialet S. R., e cila akuzohet për prostitucion dhe 34-vjeçarja V. H., e cila akuzohet për braktisjen e fëmijës. Ndërkohë që nga personat e arrestuar vetëm një është i akuzuar për vrasje dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Ai është një 36-vjeçar me inicialet Sh. M. Sipas të dhënave nga Policia e Elbasanit pjesa më e madhe e të arrestuarve janë për plagosje dhe vjedhje. Policia sqaron se arrestimi i tyre është bërë pas një pune të gjatë investigative, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit. “Theksojmë se nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, çdo dite kapet nga një person i shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Policisë lokale të Elbasanit.
1 Maj 2010