Shqiptari, dhjetë muaj burg se puthi në ballë 13-vjeçaren
SAVONA - Një emigrant shqiptar është dënuar me 10 muaj burg pasi ka puthur në ballë një vajzë 13 vjeçe. Media e shtetit fqinj ka bërë të ditur se shqiptari me inicialet S. G. është ndaluar më 7 korrik të vitit të kaluar. Ai u arrestua nga policia, e cila e akuzoi për ngacmim seksual dhe kryerje veprash të turpshme me një të mitur. Emigranti me dokumente të rregullta ka marrë nga Gjykata e Savonas në Itali dënimin që do ta lërë në qeli për dhjetë muajt e ardhshëm të jetës së tij. Vendimi është dhënë gjatë ditës së djeshme. Gjatë procesit, edhe gjyqtarja e çështjes e ka pranuar se 48-vjeçari S. G. thjesht e ka puthur në ballë vogëlushen 13-vjeçare, kurse prokuroria ka shtuar se veç puthjes, i pandehuri i ka ledhatuar edhe flokët. Sipas hetimit të prokurorisë, sinjalet për këtë ngjarje, nëse mund të kualifikohet si ngjarje, erdhën nga dy gra, shtetase italiane, të cilat treguan se korrikun e vitit 2009, S. G. ishte parë duke “abuzuar” me të miturën në lokalitetin Villapiana të Savonas. Dy gratë dëshmuan se 48-vjeçari shqiptar i ishte afruar vajzës 13 vjeçe që kishte nxjerrë qenin jashtë dhe e kishte puthur në ballë, njëkohësisht i kishte ledhatuar flokët me duar. Gratë fqinje kanë deklaruar se ishin trembur nga skena që panë dhe njoftuan policinë, e cila solli në pak minuta një patrullë të policisë, e cila i vuri prangat të dyshuarit që u shtang nga episodi me të cilin u përball. Ndërkohë, avokati i 48-vjeçarit shqiptar e ka konsideruar gjyqin krejtësisht të padrejtë, akuzën si hipotetike dhe procesin si farsë. Avokati tha se vendimi i Shkallës së Parë do të dërgohej në Gjykatën e Apelit për ankimim. Sipas mbrojtjes, i pandehuri ishte duke qëndruar për t’u çlodhur në park ku edhe erdhi vajza fqinje 13-vjeçare, e cila po shëtiste qenin dhe e ka afruar duke e parë vetëm në syrin e një fëmije dhe së bashku kanë bërë dy hapa xhiro në pritje të qenit.
Sherri
Hetim të lirë dy personave për plagosje
DURRËS - Dy persona janë vënë nën hetim nga policia për plagosje. Policia e Durrësit tha gjatë ditës së djeshme se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve, A. G., 31 vjeç, lindur e banues ne Peqin, me arsim 12 klasë, me kombësi e shtetësi shqiptare, si dhe A. G., 36 vjeç, lindur në Peqin e banues në Lagjen 17, me arsim 12 klasë. Burimet zyrtare thanë se procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi për arsye se dy ditë më parë, pas një konflikti të çastit, kanë goditur me mjete forta duke i shkaktuar plagë të lehta shtetasit R. Sh., 31 vjeç, lindur e banues në Lagjen 5 në qytetin bregdetar. Gjithashtu A. G. e ka shqetësuar këtë shtetas me anë të thirrjeve telefonike. Dosja me materialet në ngarkim të tyre për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “përdorimit me keqdashje te thirrjeve telefonike” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Greqi
Shqiptari drejtonte organizatën nga burgu
ATHINË - Një shqiptar nga burgu drejtonte një organizatë kriminale që merrej me pengmarrje. Një rast i tillë kishte ndodhur para dy vjetësh në Palini të Athinës. Katër persona shkuan në shtëpinë e një piktori dhe tentuan ta marrin peng. Piktori ishte në oborrin e shtëpisë. Katër persona iu afruan dhe e qëlluan në kokë me një send të rëndë. Më pas e shtrinë në tokë dhe filluan t’i lidhin këmbët. Vajza e piktorit, e cila gjendej në shtëpi, dëgjoi zëra dhe bërtiti me të madhe për të kërkuar ndihmë. Katër personat u larguan nga frika, mirëpo ngjarja nuk mbaroi këtu. Më pas vazhduan telefonata në shtëpinë e piktorit, të cilit i kërkonin 150 000 euro, ndryshe do t’i vrisnin vajzën. Piktori denoncoi ngjarjen në polici, e cila filloi përgjimet. Rezultoi se një shqiptar i dënuar, i cili gjendej në burg, drejtonte prej burgut një bandë e përbërë nga katër shqiptarë duke u dhënë udhëzime se si do të veprojnë për të marrë peng piktorin. Njëri prej katër personave është arrestuar, ndërsa pritet të arrestohen të tjerët.
1 Maj 2010