E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, dy veta në pranga, zbulohet bazë e re shitjeje



KURBIN - Zbulohet një bazë e re e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në një operacion të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy të rinj, pasi u është gjetur lëndë narkotike, por siç mësohet, personi që ua ka shitur atë është larguar dhe ende nuk është kapur. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës kanë bërë të ditur dje se janë vënë në pranga dy të rinj pasi janë kapur me një sasi lënde narkotike. Në kërkim është një person i tretë, i cili mendohet se është dhe shitësi i drogës. Ato thanë se gjatë ditës së djeshme, në Laç, rreth orës 11:00, kanë vënë në pranga Ardit Prengën, 21 vjeç dhe Saimir Vokën, 20 vjeç, banues në këtë qytet. Arrestimi i tyre është bërë pasi janë kapur në flagrancë me lëndë narkotike me vete. “Vënia në pranga e tyre është bërë pasi mbrëmjen e dy ditëve më parë, në orën 23:40, gjatë një kontrolli të bërë nga efektivët e policisë, në mjetin ‘Audi’ me targë TR 0103 M, që drejtohej nga shtetasi Saimir Voka në qytetin Laç, u gjet në kroskotin e mjetit në një qese plastike lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa, që peshonte 6.5 gramë”, - thanë burimet zyrtare të Policisë së Lezhës.
Hetimet
Pas shoqërimit të dy të rinjve në polici, efektivët kanë zbuluar fakte të reja. Gjatë marrjes në pyetje është mësuar se dy të ndaluarit e kishin blerë lëndën narkotike te një person i tretë. Këtu kanë nisur hetimet ndaj të riut, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për arsye hetimore. Policia dyshon se ka zbuluar një bazë të shpërndarjes narkotike në qytetin e Laçit. Siç kanë bërë të ditur burime nga Komisariati i Policisë së Kurbinit, dyshohet se trafiku dhe shitja e lëndës narkotike është zhvendosur në qytetet përreth Tiranës, pas goditjeve të njëpasnjëshme të bëra në kryeqytet, ku u kapën më shumë se dhjetë persona dhe afërsisht 130 kilogramë Cannabis sativa, që vinte nga Kruja. Burime policore thanë se kanë nisur kërkimet për personin e tretë, por vendndodhja e tij ende nuk është mësuar.
Policia
Sipas uniformave blu, ka rezultuar se lënda narkotike ishte lënë aty nga shtetasi Ardit Prenga, i arrestuar në flagrancë. Pas sqarimit është bërë shpallja në kërkim e personit të tretë, të cilit mendohet se i kanë blerë lëndën narkotike Cannabis sativa, prej 6.5 gramësh. Ndaj të dyshuarit janë duke vazhduar kërkimet për ta ndaluar, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë i mundur ndalimi i tij. Për dy të arrestuarit është bërë gati dosja dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “prodhim, shitje dhe mbajtje të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›