Të porsalindurit mbeten pa shpërblim, mungojnë fondet
Jonida Tashi
Vendimi i qeverisë për t’iu uruar mirëseardhjen fëmijëve të porsalindur me një shpërblim prej 5 mijë lekësh ka mbetur në letër. Prej më shumë se një viti, qindra çifte shqiptare që kanë sjell në jetë një fëmijë, nuk po e përfitojnë më bonusin, pasi qeveria nuk ka para për të realizuar vendimin që firmosi vetë më 9 qershor të vitit 2008. Tashmë gati prej dy vitesh, prindërit, në gjendjet civile ku ata regjistrojnë fëmijën dhe pajisen me certifikatën përkatëse, nuk po e marrin këtë shpërblim, pasi nëpër bashki nuk ka mbërritur fondi nga Ministria e Brendshme.
Fëmijët
Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr.5 në kryeqytet që ka dhe numrin më të madh të banorëve, Jeta Seitaj, thotë se pranë gjendjes civile kanë ardhur vetëm dy herë fonde për shpërblimet e foshnjave të porsalindura dhe kjo vlerë kap shifrën e 400 mijë lekëve. Sipas Seitaj, kjo shumë shpërblen vetëm 80 lindje nga rreth 650 lindje që regjistrohen mesatarisht çdo vit pranë Minibashkisë Nr.5. “Unë mund t’ju them se vetëm për vitin 2010, aktualisht janë 204 lindje të reja të cilat nuk kanë marrë shpërblime pasi nuk disponojmë asnjë fond. Ndërkohë që për vitin 2009 kemi në pritje 600 emra, të cilët, sipas vendimit të qeverisë, duhet të shpërblehen me 5 mijë lekë të reja”,- deklaron Seitaj. Sipas kryetares së Minibashkisë Nr.5, mungesa e fondeve ka shkaktuar irritim tek prindërit, të cilët pas regjistrimit, gjithmonë kërkojnë të marrin bonusin sipas vendimit të qeverisë. “Gjithmonë kemi probleme me prindërit të cilët vijnë me certifikatën e lindjes së foshnjës së tyre e kanë të drejtë të kërkojnë bonusin, por nuk e dinë se ne s’kemi lekë, dhe në momentin kur mbërrijnë fondet atëherë nisim dhe shpërndarjen e tyre”,- shprehet Seitaj.
Shpërblimi
Bonusi i vendosur nga qeveria ka afat 2 mujor brenda të cilit prindërit mund të paraqiten për ta tërhequr që nga momenti i regjistrimit të fëmijës. Sipas informacioneve, ky problem është i njëjtë në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës dhe të rretheve. Lista e foshnjave të porsalindura po rritet çdo ditë me emra të rinj, ndërsa fondet nga qeveria mbeten vetëm në letër. Për t’ju uruar mirëseardhjen foshnjave të sapolindura, me vendim të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008 u vendos që çdo fëmijë të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Në zbatim të këtij ligji u vendosën edhe disa rregulla. Fëmija e merr shpërblimin vetëm nëse regjistrohet në zyrën e gjendjes civile brenda 60 ditësh. Përfitues të këtij vendimi janë edhe fëmijët e emigrantëve. Por për këtë kategori kërkohet që ata të regjistrohen brenda një periudhe prej 90 ditësh në Shqipëri. Por megjithëse ky vendim u mirëprit nga mijëra familje shqiptare, dhe më gjerë, zbatimi i tij zgjati shumë pak, ndërkohë që tashmë pak prej qeveritarëve mund të shqetësohen për këtë problem. Si për ironi të fatit të vogëlushëve, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, sapo ka firmosur një udhëzim të posaçëm që përcakton procedurë të re për regjistrimin e foshnjave për rastet kur lindin brenda dhe jashtë vendit.
1 Maj 2010