E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kërkon të zbardhë shkaqet e krizës së gazit

Bruksel - Komisioni Evropian pritet të dërgojë në Moskë një ekip funksionarësh të lartë me qëllimin për të zbardhur të gjitha faktet mbi krizën e re të gazit. Një zëdhënës i KE-së deklaron se ekipi do të dërgohet përpara zhvillimit të samitit mes BE-së dhe Rusisë më 18 dhe 19 qershor.

"Ky mision, do të mundësojë qartësimin e situatës në një raport që do t'u jepet presidentëve dhe kryeministrave evropianë gjatë samitit", theksoi presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso në një letër dërguar presidencës çeke të BE-së.

"Bisedimet do të kenë lidhje me industrinë evropiane të gazit", shtoi zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Kryeministri rus, Vladimir Putin e paralajmëroi dje Bashkimin Evropian për një krize të mundshme të gazit, pasi Rusia synon të ndërpresë furnizimin nga Ukraina nëse Kievi nuk paguan detyrimet e tij.

BE-ja premtoi se do të shqyrtojë mënyrat për t'i ardhur në ndihmë Ukrainës për rregullimin e faturave të gazit rus. Një e katërta e konsumit evropian të gazit varet nga dërgesat e Rusisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›