E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, kritikon Gjeorgjinë për fillimin e luftës së vitit të kalaur

Një raport hetimor i BE-së për konfliktin ruso-gjeorgjian të gushtit të vitit 2008 e bëri përgjegjës sot Tbilisin për shpërthimin e luftës, gjë që mohohet nga presidenti Sakashvili, por akuzoi edhe Moskën për nxitjen që më parë të konfliktit. Që prej luftës së shkurtër të 7-12 gushtit të vitit të kaluar, që përfundoi me një disfatë të dhimbshme të Gjeorgjisë dhe pavarësisë së vetëshpallur të dy rajoneve të saj separatiste, Abkhazia dhe Osetia e Jugut, të dy palët ia hedhin fajin njëri-tjetrit.
Presidenti gjeorgjian deklaron se ka reaguar ndaj një përpjekjeje për pushtim të ushtrisë ruse në territorin e Gjeorgisë. Ndërsa, Moska pretendon se ndërhyri për të mbrojtur popujt e dy rajoneve rebele, të cilët kishin pashaporta ruse. Një raport hetimor, i kërkuar në dhjetor të vitit 2008 nga Bashkimi Evropian një grupi ekspertësh dhe diplomatësh që punojnë nën drejtimin e diplomates zvicerane me përvojë, Heidi Tagliavini, bëri publik sot konkluzionet e tij.
I pari prej tyre është lajm i keq për Gjeorgjinë. Sipas raportit, janë forcat e saj të armatosura që shpërthyen konfliktin për kontrollin e Osetisë së Jugut, njoftoi AFP-në një burim i afërt me komisionin. Sipas tij, punimet e komisionit hetimor nuk bënë të mundur identifikimin e një invazioni të trupave ruse në Oseti në çastin e shpërthimit të luftimeve gjatë natës duke u gdhirë tetë gushti. Gjeorgjia atëherë kishte bombarduar kryeqytetin e Osetisë së Jugut. Në të njëjtën kohë, raporti nuk shfajëson Rusinë. Sipas të njëjtit burim, Moska mban gjithashtu një pjesë të përgjegjësisë në konflikt sepse ka ndjekur, në javët dhe muajt përpara luftës, një strategji përshkallëzimi të tensionit në dhe rreth dy provincave rebele.
Rusia kritikohet gjithashtu në raport për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, për pushtimin, gjatë konfliktit, të një pjese të territorit gjeorgjian, përtej kufijve të Osetisë së Jugut, vazhdoi ky burim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›