E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Tetovës kërkojnë tërheqjen e enciklopedisë

Mijëra studentë të Universitetit të Tetovës në Maqedoni, si dhe qytetarë shqiptarë kanë vërshuar ditën e mërkurë rrugëve të qytetit. duke protestuar kundër enciklopedisë maqedonase e cila fyen dhe poshtëron kombin shqiptar.
"Jo korrigjim por tërheqje", "Akademia e Shkencave të Maqedonisë, institut pa identitet", "Për studentët, kultura e kombit vazhdimësi e identitetit shqiptar", "S'ka enciklopedi s'ka Maqedoni". Këto ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e studentëve të cilët shprehnin revoltën e tyre ndaj enciklopedisë maqedonase të publikuar ditë më parë.
"Me anë të kësaj proteste, ne kërkojmë tërheqjen e këtij botimi nga qarkullimi. Njëkohësisht, kërkojmë nga akademikët shqiptarë që të largohen nga Akademia e Maqedonisë, e cila me projektet falsifikuese të saj na kthen në një të kaluar të rrezikshme të gjithëve", deklaruan përfaqësuesit e studentëve.
Ata, gjithashtu, i bënë apel faktorit politik shqiptar që të jetë më energjik në mbrojtjen e dinjitetit, krenarisë dhe historisë kombëtare. Sipas tyre, është koha e fundit për unifikim të qëndrimeve dhe kërkimi të përgjegjësisë.
"Nëse ky botim skandaloz nuk tërhiqet nga qarkullimi, atëherë, ne të gjithë së bashku do të ndërmarrim hapa të tjerë, për të cilët do jeni të informuar në kohë të duhur", theksoi Këshilli organizativ i protestës. Ndërkohë që gjatë ditës së mërkurë janë vërejtur masa të shtuara të policisë, me qëllim parandalimin e incidentet të mundshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›