E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kundër Alibeajt: Kjo nuk është demokraci

Kreu i EURALIUS i bashkohet presidentit Topi dhe kërkon që procesi të jetë transparent me pjesëmarrjen e të gjithëve

TIRANË- Bashkimi Europian ka kundërshtuar dje publikisht mënyrën e përpilimit të drafteve ligjore nga Ministria e Drejtësisë. Drejtori Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, Roland Miklau, mbështeti deklaratën e presidentit Bamir Topi mbajtur të premten në mbledhjen e radhës së anëtarëve të KLD-së, sipas së cilës reforma në drejtësi duhet hartuar nga të gjitha palët, duke lënë të kuptohet se përgatitja e drafteve ligjore ka nevojë për konsensus. “Kam dëgjuar që Presidenti i Republikës së Shqipërisë është shprehur dje (dy ditë më parë) se ligji nuk është një çështje unilaterale, unë mendoj se Presidenti ka shumë të drejtë sepse ligjet dhe draftet ligjore në demokraci duhet të jenë çështje shumë multilaterale dhe një proces multilateral”,- tha Miklau duke shtuar se misioni EURALIUS do të vazhdojë të ofrojë asistencë në reformën e drejtësisë për të themeluar një sistem të pavarur të drejtësisë. “Demokracia ka nevojë për gatishmëri, debate nga institucionet dhe palët e lidhura me të gjitha reformat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren. Debate për të cilat kërkohet kompromis para miratimit të tyre, pra para se ato të marrin formën përfundimtare dhe jo të përgatiten dhe pastaj të diskutohen”,-shtoi drejtori Miklau, duke shtuar se Shqipëria ka bërë përgatitje për reformat në drejtësi por ka nevojë për më shumë transparencë të mëtejshme, pasi janë shumë palë në mes të interesuara për këto ndryshime ligjore. Në fund të fjalës së tij, drejtori Miklau u shpreh se “procesi i hartimit të drafteve ligjore që po përgatiten për reformën në drejtësi, duhet të jetë më transparent, pasi ky proces kërkon kohë dhe transparence të plotë me palët e interesuar. Në procesin e përgatitjes së këtyre drafteve ligjore, duhet të përfshihen të gjitha palët apo grupet e interesit, profesionistët e fushës dhe jo vetëm përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë”,-nënvizoi kreu i misionit EURALIUS në Shqipëri, Roland Miklau. Kohë më parë, ka qenë kjo zyrë e cila ka reaguar duke deklaruar se në përgatitjen e projektligjit për “Administratën Gjyqësore” nuk është marrë mendimi i tyre. Gjithashtu, në përfundim të ditës së djeshme pjesëmarrësit në këtë tryezë, si Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve, Unioni Gjyqtarëve, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Dhoma Kombëtare e Noterisë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesionistë të së drejtës kanë firmosur një rezolutë kundër këtyre projektligjeve të dërguara dhe që presin të dërgohen në Kuvend për miratim nga Ministria e Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›