E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Ligji i ri shkel pavarësinë e gjyqësorit

“Ky draft ligjor ka probleme kushtetuese dhe ligjore, me kalimin e këtyre kompetencave që i merr vetë ministri i Drejtësisë”

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë i është bashkuar të gjitha institucioneve të pavarura shqiptare dhe ka kundërshtuar dje projektligjet e propozuar nga Ministria e Drejtësisë për “Administratën Gjyqësore” dhe “Gjykatën Administrative”. Ishin inspektorët e KLD-së, të cilët morën pjesë mëngjesin e djeshëm në takimin e organizuar nga “Transparency International Albania” me grupet e interesuara dhe shoqërinë civile në lidhje me reformën në drejtësi, ku kundërshtuan dhe renditën arsyet se pse këto dy projektligje cenojnë pavarësinë e gjyqësorit. “Ministria e Drejtësisë në dy projektligjet që ka përgatitur, atë të “Administratës Gjyqësore” dhe “Gjykatës Administrative” ka vepruar në mënyrë të njëanshëm duke anashkaluar KLD-n, institucion ky më i lartë i drejtësisë në vend. Anëtarët e KLD-së apo përfaqësuesit e këtij institucioni nuk janë ftuar të marrin pjesë në grupet e punës që kanë përpiluar këto dy projektligje, duke i formuluar në mënyrë të njëanshme. Institucioni i KLD-së në lidhje me draftin ligjor për “Administratën Gjyqësore” është njohur nëpërmjet medias dhe zyrtarisht nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend, komision ky që ka kërkuar mendim për këtë projektligj të dorëzuar për miratim nga Ministria e Drejtësisë. Pas, analizës së këtij drafti, i kemi kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve duke i renditur kundërshtimet e institucionit të KLD-së”,- tha përfaqësuesi i KLD-së, Hysen Saliko. Sipas tij, projektligji i administratës gjyqësore cenon parimet e pavarësisë dhe kalon kompetencat e gjyqësorit në varësi të ekzekutivit. Gjithashtu, sipas institucionit të KLD-së, ky draft ligjor ka nevojë për ripunim pasi ka probleme kushtetuese dhe ligjore, me kalimin e këtyre kompetencave që i merr vetë ministri i Drejtësisë. “Miratimi i këtij ligji për administratën gjyqësore, në formën ekzistuese që i është dorëzuar Kuvendit do të vendos gjyqësorin nën kontrollin e ekzekutivit”,- thanë përfaqësuesit e KLD-së në këtë takim. “KLD-ja e cilëson këtë draft ligjor në kundërshtim me parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe prezanton rrezikshmëri për këtë pavarësi nëse ky draft miratohet në Kuvend”,-thanë përfaqësuesit e këshillit. Gjithashtu për përfaqësuesit e KLD-ne ky draft ligjor del kundër ligjit themeltar të shtetit, pasi pavarësia financiare e gjykatave është e sanksionuar në nenin 144 të Kushtetutës. Ndërsa, sa i përket ligjit për “Gjykatën Administrative”, KLD i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për t’i vënë në dispozicion një kopje, ku është evidentuar se ky projektligj ka probleme dhe duhet rregulluar dhe ripunuar me grupet e interesit dhe jo vetëm ata të ekzekutivit. Sipas përfaqësuesve të KLD-së, “inspektorati i këtij institucioni, është hallka që merret drejtpërdrejt me inspektimin e punës së administratës gjyqësore dhe gjykatës, dhe për këtë shkak duhet që të ishim ftuar edhe ne në tryezën e grupit të punës, në të cilin nuk është përfshirë asnjë palë e interesuar. Këto dy projekt-ligje kohë më parë janë kundërshtuar edhe nga vetë anëtarët e KLD-së gjatë një mbledhje me kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit në vend, ku janë diskutuar këto drafte ligjore, të cilat u kundërshtuan një zëri nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë tryezë pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›