Topi letër falënderimi Bushit për dekretimin e protokollit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka shprehur dje nëpërmjet një mesazhi mirënjohjen e popullit shqiptar Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, me rastin e nëshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Përmes një letre dërguar Presidentit të Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh W. Bush, ai ka përshëndetur dhe falënderuar në emër të popullit shqiptar dhe në emrin të tij personal, për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Në këtë Topi midis të tjerave ka theksuar se “Nënshkrimi nga ana Juaj e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, i mbështetur unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë”. Mesazhi e Kreut të shtetit shqiptar dërguar Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush mbyllej me shprehjen e një mirënjohje të thellë dhe bindjen se ky vendim i marrë inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, nje shtet të aftë për përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon. Dekretimi i protokollit nga presidenti Bush u bë dy ditë më parë gjatë një ceremonie të posaçme ku mori pjesë si i ftuar special edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA i hap rrugën procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet e tjetare anëtare të kësaj roganizate politiko-ushtarake. Dekretimi i protokollit nga Bush merr një vlerë edhe më të madhe, pasi mund të shërbejë si shtysë që edhe vendet e tjera të Organizatës së Atlantikut të Veriut të bëjnë të njëjtin veprim.