E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Të vetëm në zgjedhje nëse PD s'reflekton për kodin

Republikanët kërkojnë korrektim kombëtar të votës, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë të drejtën çdo force të masë peshën e vet reale

Parti Republikane nuk përjashton mundësinë e daljes e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009. Ky qëndrim është deklaruar dje nga Kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, në një takim në Fier ku ka pohuar pakënaqësitë lidhur me Partinë Demokratike për marrëveshjen që po bën me socialistët lidhur me reformën zgjedhore. Në fjalën e tij Mediu la të kuptoheshin edhe sinjalet e para të krisjes brenda të djathtës, duke i lëshuar në këtë mënyrë demokratëve një ultimatum se në rast se nuk do të ketë reflektim atëherë ndarja do bëhet realitet. “Ne kemi patur vërejtjet tona për Kodin Zgjedhor, është një kod që tenton të monopolizojë politikën shqiptare, të krijojë dy monopole një në të djathtë e një në të majtë”,- tha Mediu. Sanksionimi që është bërë në kushtetutë dhe së fundmi edhe në Kodin Zgjedhor në lidhje me përllogarritjen e votave të partive në garën elektorale ka bërë që PR të mbajë një qëndrim të kundërt me atë të PD-së duke kërkuar një korrektim kombëtar të votave të çdo partie. Idea e daljes e vetme në zgjedhjet e ardhshme dhe jo si pjesë e kualicionit të djathtë nuk është kundërshtuar edhe nga drejtuesit e tjerë të PR. Sabri Godo ka pohuar se kjo ide mund të kthehet në vendim për aq kohë sa Partia Demokratike vazhdon të përcaktojë modalitetet e ardhshme të zgjedhjeve. Edhe pse të përfaqësuar në qeveri me një ministër dhe dy zëvendësministra, republikanët duken se ngelen të pakënaqur nga qeverisja Berisha dhe qëndrimi i tij, dhe e vetmja rrugë sipas tyre për daljen e kualicionit të përbashkët mbetet diskutimi mbi Kodin Zgjedhor ku do të përcaktohet sipas tyre pesha elektorale e çdo force politike. Qëndrimi më i fundit i republikanëve duket se vështirëson së tepërmi pozicionin e demokratëve në këtë prag fushate zgjedhor, kur dihet tashmë qëndrimi kundërshtues i demokristianëve, të cilët kohët e fundit kanë deklaruar se edhe ata do të dalin të vetëm në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›