Kreditë me problem kaluan 1 miliard dollarë
Me rritje të kredive me probleme, bankat janë të detyruara të provigjionojnë. Provigjionet janë shpenzime dhe për pasojë ulin fitimin e bankave. Ulja e fitimeve sjell më pak pagesë të tatimit mbi fitimin dhe frenon bankat të bëjnë investime
Nga Ilir Beqja
Shoqata e Bankave të Shqipërisë publikoi të dhënat e sistemit bankar shqiptar për vitin financiar 2011. Për fat të mirë, shoqata ku bashkohen vullnetarisht bankat është më e interesuara të tregojë para publikut treguesit e sistemit bankar. Në një situatë normale do të duhej që qoftë banka e Shqipërisë, qoftë administrata tatimore mund dhe duhet të kishin bërë publike treguesit e sistemit bankar për vitin 2011.
Në pamje të parë, viti 2012 duket i mbarë për sistemin bankar. Aktivet janë rritur 13 %, po aq edhe depozitat, ndërsa kreditë janë rritur 15 %.
Por ka një tregues që është rritur shumë më tepër se të gjithë të tjerët. Janë Kreditë me Probleme. Në fund të vitit 2010 përbënin 14 % të portofolit të kredive, ndërsa në fund të vitit 2011 arritën në 18,8 % të portofolit të kredive. Grafikisht ilustrohet në grafikun 1. Kur PD erdhi në pushtet kreditë me problem përbënin 2 3 % të portofolit të kredive.
Në vlerë absolute rritja është 55 %. Grafikisht ilustrimi është në grafikun 2. Në fund të vitit 2011 kreditë me probleme arritën në 106,275 milionë lekë. Pra, më shumë se 1 miliardë dollarë.
Kreditë me problem kanë arritur në fund të vitit 2011 sa 8,1 % të GDP, ndërsa në fund të vitit 2010 ky tregues ishte 5,6 % e GDP. Rritja e kredive me probleme është me pasojë për vetë sektorin bankar por edhe për ekonominë.
Më rritje të kredive me probleme, bankat janë të detyruara të provigjionojnë. Provigjionet janë shpenzime dhe për pasojë ulin fitimin e bankave. Ulja e fitimimeve sjell më pak pagesë të tatimit mbi fitimin dhe frenon bankat të bëjnë investime. Për të amortizuar rënien e fitimit bankat detyrohen të shtrenjtojnë kreditë, ndërsa në kushtet e rritjes së kredive me probleme bëhen më të kujdesshme dhe shtrëngojnë kushtet e kredidhënies. Shtrenjtimi dhe shtrëngimi i kredive vështirëson sipërmarrjen dhe frenon rritjen ekonomike.
Kur PD erdhi në pushtet kreditë me problem përbënin 2 3 % të portofolit të kredive. Për disa vite rritja e shpejtë e portofolit të kredive ndihmoi në rritjen ekonomike të vendit. Sektori kryesor që tregoi kërkesë të lartë për kredi ishte sektori i ndërtimit, qoftë ai ndërtimit rezidencial, qoftë ai i punëve publike. Sot ky sektor është në krizë. Në sektorin rezidencial raportohen mijëra e mijëra apartamente të pashitura. Në sektorin e punëve publike qeveria ka pa paguar 100 milionë dollarë.
*Revista JAVA
