E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria ngre akuzën, ja si i vodhi zgjedhjet në Dajç kandidati i mazhorancës

Share

Prokuroria ka arritur të zbardhë skemën e manipulimit të zgjedhjeve në komunën Dajç të Lezhës dhe ka dërguar përpara gjykatës dosjen me akuza për 8 anëtarë të komisionit zgjedhor, të cilët akuzohen tani për shpërdorim të detyrës dhe për falsifikim të dokumenteve dhe të rezultateve të zgjedhjeve.

Të akuzuarit janë Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku.

Por çfarë ka ndodhur?

Kandidati i opozitës, Rrok Rroku e kishte kapur skemën e manipulimit që kishte përdorur kundërshtari i tij, përfaqësues i mazhorancës. Sipas tij, mbi 60 persona që nuk ishin në Shqipëri, kishin votuar atë ditë. Edhe pse u ankua në KQZ dhe në Kolegj Zgjedhor, dy institucionet lanë në fuqi rezultatin. Atëherë Rroku iu drejtua prokurorisë, e cila faktoi atë që Rroku kishte zbuluar vetë, dmth një manipulim në atë shifra me votat e njerëzve që nuk ishin në Shqipëri më 8 maj.

Sipas kallëzimit penal rezulton se në këtë qëndër votimi gjatë zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011 kanë votuar 264(dyqind e gjashtëdhjetë e katër) votues nga 300(treqind) votues të regjistruar në listat e zgjedhësve. Nga verifikimet që kishte bërë vetë kandidati për kryetar komune Z.Rrok Rroku rezultonte se një numër më i madh personash, rreth 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) persona të cilët ishin emigrantë dhe nuk ndodheshin fare në Shqipëri në datën 8 Maj 2011 rezultonin se kishin votuar, thuhet në kërkesën e dërguar në gjykatë nga prokuroria.

Dhe prokuroria fakton atë që kishte zbuluar kandidati i opozitës.

Nga kjo listë përfundimtare e zgjedhësve rezultonte se në datë 8 Maj 2011 në këtë qëndër votimi kishin votuar 264(dyqind e gjashtëdhjetë e katër) votues dhe nuk kishin votuar 36(tridhjetë e gjashtë) votues.

Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në bazë të shkresës me Nr.1418/1 Prot, datë 02.06.2011 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë dhe të shkresës me Nr.7492/1 Prot, datë 12.10.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se prej 264 votuesve, të cilët rezultonin se kishin votuar sipas listës përfundimtare të zgjedhësve të QV me Nr.0699, 62(gjashtëdhjetë e dy) persona rezultonin zyrtarisht se ndodheshin jashtë shtetit në datën 8 Maj 2011, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›