E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia dhe lufta për Arktikun

Sergej Ivanov, zëvendëskryeministri i Rusisë, ka kërkuar në mbledhjen e Kolegjiumit Detar, që të konfirmohen urgjent koordinatat gjeografike, që përcaktojnë gjerësinë territoriale të detit, duke përfshirë zonën ekonomike nënujore të platformës kontinentale të Rusisë. Fjala është për studime që duhet të dëshmojnë se kujt i përket toka nëndetare në Arktik e Detin Ohotska.

Duke marrë parasysh se toka nuk përfundon aty ku fillon deti, por vazhdon nën sipërfaqen e ujit, shkencëtarët e disa vendeve po bëjnë gjithçka për të dëshmuar se toka nën det është vazhdim i tokës së vendeve të tyre.

Me këtë synim, verën që shkoi, një ekspeditë shkencore ruse u fut në fund të Oqeanit të Ngrirë të Veriut, 2.5 km thellë dhe mori kampionë dheu për të dëshmuar se zgjatimi i Lomonosit është vetëm vazhdim i platformës kontinentale siberiane.

Vera Petrova, shefe e laboratorit të gjeokimisë organike në Institutin Federal të Studimeve Shkencore, thotë se kampionët e tokës që solli ekspedita e Çilingarovit, konfirmojnë se fjala është për tokë ruse. Materia organike ngjan për nga vjetërsia e përbërja me kampionët e marrë në platformën siberiane. Studime të ngjashme po bëhen dhe në detin Ohotska. Sipas të drejtës ndërkombëtare, zonë ekonomike detare, konsiderohen 200 milje nga bregu. Në rastin e detit Ohotska, pjesa qendrore nuk i përket askujt.

Bioresurset, si "pjesë e askujt", i shfrytëzojnë pesëdhjetë vende. Sipas Ivanovit, Rusia për këtë shkak humbet çdo vit 2 miliardë dollarë. Prandaj është detyrë e shkencëtarëve rusë të dëshmojnë se nën ujë është tokë ruse.

Që të shpallet një pjesë e territorit në pol të tokës, pjesë e një shteti, duhet të paraqitet kërkesë në Kombet e Bashkuara. Rusia e ka bërë këtë para shtatë vitesh, por falë rezistencës së SHBA-së, vendimi është shtyrë për dhjetë vjet, për shkak të dëshmive të pamjaftueshme. Kërkesa të ngjashme për pronësinë mbi Arktikun kanë dërguar edhe Danimarka, Norvegjia, Kanadaja e SHBA-ja.

Menjëherë pas ekspeditës së vjetshme ruse, Amerika ka intensifikuar studimet e veta. Vitin e kaluar ka dërguar akullthyeset, që zyrtarisht kanë pasur vetëm qëllime shkencore, por askush nuk dyshon se këto studime shkencore janë në interes të ekonomisë.

SHBA-ja është e gatshme të investojë nëntë miliardë dollarë për studimet e tokës nën det në Arktik. Tashmë ka filluar ndërtimi i dy akullthyeseve.

Planet e Kanadasë janë edhe më të mëdha. Ato përfshijnë tri akullthyese ushtarake, tetë anije patrulluese, ekspedita të radhës etj.

"Për të përcaktuar çështjen e përkatësisë së pjesës kontinentale të Arktikut, krahas dëshmive shkencore, Rusisë i duhet edhe një miliard e gjysmë rubla, deri në vitin 2011", tha ministri rus i Natyrës, Jurij Trutnjev.

Ai theksoi se është e nevojshme të ndërmerret një program shtetëror për përtëritjen e kërkesës ruse në Kombet e Bashkuara, që duhet të jetë gati deri në 2012-ën.

Por gjithçka do të shpërblehet, sepse, sipas vlerësimeve të para, nën koren e akullt të Arktikut fshihen rreth 10 miliardë tonë naftë dhe gaz. Nëse dëshmohet se zgjatimi i tokës është rus - gjithçka do t‘i takojë Rusisë dhe sipërfaqja e saj do të shtohej me më shumë se një milion kilometra katrorë, e barabartë me sipërfaqen e dy të tretave të Evropës.

Problemet e ndarjes së rezervave të Arktikut janë të ngrira që nga vitet ‘50. Atëherë nuk ka pasur bazë shkencore për pushtimin e fundit të detit dhe nuk ka pasur të dhëna për rezerva. Për kohën e Luftës së Ftohtë, Arktiku është parë vetëm nga këndvështrimi ushtarak, si rruga më e shkurtër e SHBA-së dhe BS-së deri te kundërshtari.

Sot ky territor shihet si zgjidhje për problemin botëror të energjisë, që çdo vit është më i afërt.

Me kërkesën e saj, për të përcaktuar kufijtë detarë, Rusia ka hapur kutinë e Pandorës, komenton një ekspert rus i energjetikës, duke shtuar se lufta për Arktikun do të jetë e ashpër.

BE-ja tashmë ka përgatitur raportin special, për atë se si mund të zhvillohen ngjarjet rreth Polit të Veriut, duke parashikuar përplasje rreth rezervave të emergjentëve. Me këtë bie dakord edhe komandanti i forcave detare ruse, Vladimir Visocki, i cili në mbledhjen e Kolegjiumit Detar, tha se "momentalisht në Arktik sundon paqja e stabiliteti. Megjithatë, nuk mund të përjashtojmë, se në të ardhmen mund të kemi ndarje në përdorimin e forcës, apo deri përfshirje të armatosura".

Prandaj, ndoshta është më reale të mendohet për propozimet e vitit 1920, që të gjendet një zgjidhje me kompromis dhe toka nëndetare të ndahet sipas të ashtuquajturës vija të mesme mes Rusisë, SHBA-së, Kanadasë, Danimarkës e Norvegjisë.

Në këtë rast, pjesa më e madhe e Polit të Veriut do t‘i takonte Danimarkës, ndërsa zona ruse do të zgjerohej, duke marrë një të tretën e oqeanit. Sipas ekspertëve, ky variant është pak i besueshëm, sepse nuk do të kënaqte vendet e tjera joarktike, që pretendojnë të shfrytëzojnë "vendin e askujt", por as Amerikën, që në këtë rast do të merrte vetëm dhjetë për qind të Arktikut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›