E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo makinave afër kalasë

Dalja në sipërfaqe e gjurmëve të një kalaje të vjetër në afërsi të mureve të kalasë së Toptanasve, afër qendrës së Tiranës muaj më parë, është bërë së fundmi objekt debati iniciuar nga shoqata "Tirana". Nën sloganin "Çdo të Bëjmë me Historinë", kjo shoqatë organizoi në hotel "Tirana" një tryezë të rrumbullakët, ku synohej trajtimi i problemit të Qendrës Historike të Tiranës, objekteve të saj arkeologjike, dhe veçanërisht të mureve të kalasë së vjetër të qytetit, të zbuluara së fundmi pas punimeve për rehabilitimin e rrugëve në qendër të kryeqytetit. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të faktorëve kryesorë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me subjektin si Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Bashkia e Tiranës; Prefektura e Qarkut Tiranë; Presidenca; Këshilli i Ministrave; Instituti i Arkeologjisë; Instituti i Monumenteve të Kulturës; qendra e studimeve historike dhe arkeologjike, "Frashëri‘; përfaqësues të ndërmarrjeve si Ujësjellës-Kanalizimet; KESH; Postë Telekomunikacionet; shoqata të ndërtuesve dhe arkitektëve, të cilët kanë rrjetet e tyre të infrastrukturës brenda zonës në fjalë. Aty diskutuan historianë, arkeologë, urbanistë, ndërtues etj.

Në përfundim të këtij takimi, pjesëmarrësit dolën me një deklaratë të përbashkët ku parashtrohej: palët pjesëmarrëse shprehin mbështetjen e tyre për vlerat e veçanta të zbulimit arkeologjik të gjurmëve të Kalasë së Tiranës; pjesëmarrësit bien dakord që kalaja e Tiranës është zemra historike e qytetit dhe për këtë ky objekt duhet të ketë një vëmendje të veçantë, dhe të merret parasysh në të gjitha planet e ardhshme urbanistike dhe zhvillimore të qytetit; rruga "Murat Toptani", përgjatë së cilës shtrihet muri i zbuluar i kalasë së Tiranës, si pjesë e këtij kompleksi historik kulturor, në të gjithë skenarët e zhvillimit të qytetit, duhet të jetë një rrugë "pedonale" (këmbësore), pavarësisht nga kostoja e këtij vendimi. Trajtimi i mëtejshëm i Kalasë së Tiranës duhet të ketë mbështetjen financiare të institucioneve qendrore, vendore dhe të shoqërisë civile.

Ndaj në këtë kuadër, nën kujdesin e shoqatës "Tirana", në takim u iniciua çelja e një fondi kontributesh, i hapur për të gjithë qytetarët që duan të kontribuojnë në ruajtjen e këtij monumenti kulture. Më tej, në deklaratë u tha se organet kompetente duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për zhvendosjen e rrjetit inxhinierik të zonës, duke filluar nga segmenti i rrugës "Murat Toptani", për të mundësuar fillimin sa më shpejt të punimeve arkeologjike; të mbështeten gjithashtu dhe nxiten institucionet e specializuara, për hartimin e një programi afatgjatë për vlerësimin historik-arkitektonik dhe atë arkeologjik të zonës, me synim kthimin e saj në një qendër të vizituar të trashëgimisë kulturore. Më pas u vendos edhe krijimi i një grupi koordinimi për ndjekjen e procedurave që lidhen me hapat e ecurisë së zhvillimit të kësaj qendre historike. Kryetari i shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, tha se tryeza do të prodhojë një model të ri se si sfidat e përbashkëta të cilat lidhen me të shkuarën tonë do të zgjidhen në mënyrë qytetare dhe të mençur, larg rivaliteteve boshe që prodhon protagonizmi politik. Sipas tij, synimi i shoqatës "Tirana" është të ndërtojë një forum debati të specializuar, i cili do të mundësojë përfshirjen e sa më shumë ideve për zgjidhjen më të mirë për kalanë e Tiranës dhe të ardhmen e kryeqytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›