E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë sjell "Jorgjie Truja", edicioni IV

Nga data 3, deri më 8 maj, organizohet edicioni i katërt mbarëkombëtar i zërave lirikë, "Jorgjie Truja". Por ky eveniment starton që nesër, më 25 prill, me fazën paraeliminatore që ka për qëllim të testojë kandidatët e paraqitur. I realizuar nën emrin e artistes së shquar Jorgjie Truja, një nga figurat që qëndrojnë në themel të formimit të artit vokalo-skenik, prej tre vitesh ky aktivitet është bërë zëdhënës i talenteve cilësore të artit lirik, që ballafaqojnë performancat e tyre në disa prova seleksionuese. Programi që prek stile e zhanre të lirikës vokale, nga kënga popullore e përpunuar e deri tek ariet e mëdha të literaturës botërore, si dhe katër takime seleksionuese përballë një jurie me specialistë shqiptarë dhe të huaj, u jep mundësinë pjesëmarrësve të prezantojnë arritjet e tyre artistike dhe jurisë gjithashtu të përcaktojë më të mirët. Koncerti i finalistëve këtë vit është planifikuar të realizohet me orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, që ka një përvojë të gjatë operistike, drejtuar nga Alqi Lepuri (Artisti i Merituar) në formën e një koncerti gala, transmetuar ekskluzivisht nga RTSH. Por veç anës praktike të ballafaqimit skenik, ky eveniment përmban masterclass-e apo workshop-e, ku pjesëmarrësit e pedagogët e tyre kanë pasur dhe do të kenë mundësi të krijojnë kontakte direkte, bashkëbisedime profesionale për problemet teorike të metodologjisë tradicionale dhe bashkëkohore me specialistë të huaj. Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, kur u zhvilluan dy masterclass-e me prof.Aleksandër Masenna (Holandë) dhe Valerio Paperi (Itali), do të organizohet workshop-i me temë: "Problemet bashkëkohore të artit lirik".
Në këtë workshop pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen me këto probleme nëpërmjet referatit të prof. Hamide Stringës, për librin e prof. Burhan Spahisë, "Solokëndimi, studiojmë belcanto-n", dhe prof. Suzana Frashëri për librin e prof. Valerio Paperit, "Proceset fiziologjike të vokalit". E veçanta e këtij viti, që vjen nga përpjekja e përsosjes së këtij takimi nga viti në vit, është hapësira e rezervuar për artistët e rinj, "pasuniversitarë", atyre që presin të ingranohen në jetën artistike, duke i konsideruar si një kategori e veçantë. Ky fakt e rrit numrin e çmimeve në 9, dy nga të cilat do të jenë bursa studimi, që ambasada italiane i ka vënë në dispozicion të talenteve më të spikatur të takimit IV "Jorgjia Truja", për të studiuar në konservatorët e Italisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›