E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjon Pali II, Papa që u foli shqiptarëve me dashuri

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, 25 prill 1993, Gjon Pali II shkeli tokën shqiptare. Sikurse bënte në çdo udhëtim të tij, gjesti i parë ishte puthja e dheut. Një gjest i mbushur me një simbolikë të veçantë, që shpreh nderimin dhe dashurinë ndaj një populli dhe dheut ku ky popull jeton. Por, në Shqipëri, ky gjest kishte diçka më shumë se në vende të tjera. Ndoshta kështu na u duk neve, që e shihnim nga ekrani i televizorit. Papa Gjon Pali II u përkul para dhembjes dhe kryqëzimit të një populli për 50 vjet rresht dhe dukej sikur po puthte plagët e këtij populli, me gjithë dashurinë e tij.

Muri i Berlinit sapo kishte rënë, e bashkë me të edhe në Shqipëri kishte filluar demokracia. E para shenjë e ardhjes së demokracisë ishte liria e besimit, si një nga liritë themelore të njeriut, e ndaluar në Shqipëri me Kushtetutë. I vetmi rast në botë! Ndalimi i besimit ishte vetëm maja e ajsbergut e një regjimi absurd. Në ndërgjegjet e shqiptarëve, (ende edhe sot?) dëmtimet e atij regjimi absurd kishin ndikuar thellë dhe ishin të dukshme e të prekshme.

Papa Gjon Pali II, Papa polak, vinte në Shqipëri në emër të Zotit. Janë dy arsyet, për të cilat ai erdhi në Shqipëri. Së pari, ai erdhi të takonte një popull të shumëvuajtur, dhe së dyti, të takonte bashkësinë katolike dhe t‘i rijepte asaj strukturën e nevojshme, me shugurimin e ipeshkvijve të parë pas shumë vitesh.

Ai erdhi të takonte një popull. Informacioni i Papës mbi Shqipërinë ishte i detajuar. Nga fjalimet, që ai ka mbajtur, kjo përftohet mjaft qartë. Nga 22 prilli i atij viti, kur në Vatikan pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit, Shkëlqesisë së Tij z. Willy Kamsi, ambasadorit të parë të Shqipërisë në Vatikan, e deri më 28 prill, Shqipëria zë vendin kryesor në axhendën e Papës. E meritonte Shqipëria gjithë këtë vëmendje, apo kishte nevojë për gjithë këtë vëmendje? Të dyja bashkë.

Askush më parë nuk i kishte folur dhe askush më pas nuk do t‘i fliste prej asaj dite popullit shqiptar me gjuhën e dashurisë. Askush! Gjon Pali II vinte në emër të Zotit. Kështu ishte shprehur në mesazhin e tij, drejtuar një natë para nisjes, më 24 prill 1993, popullit shqiptar: "Të dashur vëllezër e motra shqiptarë, po vij te ju në emër të Zotit. Po vij, që të lutem me ju dhe për ju, për një të ardhme qetësie dhe paqeje". E në shqip shton: "Mirupafshim nesër! Zoti ju bekoftë!" Fjalët e tij drejtuar shqiptarëve janë fjalët e një njeriu që e di se ç‘është vuajtja e një populli dhe çfarë do të thotë të duash një popull. Nuk mund të harrojmë, se ai vinte nga Polonia komuniste dhe kishte parë me sytë e tij çfarë do të thotë të jesh nën një regjim absurd për një kohë të gjatë.

Mohimi rrënjësor i besimit, i mendimit të lirë dhe shprehjes së lirë kishin rënduar në thelb jetën shqiptare. Papa e bën mirë analizën, sapo mbërrin në Aeroportin e Rinasit. "Ty o popull fisnik shqiptar, përshëndetja ime e ngrohtë dhe e përzemërt! Të gjithë i dinë ngjarjet e trishtueshme që t‘u ka dashur të përballosh, në mënyrë të veçantë në njëzetepesë vitet e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha do ta ketë të vështirë t‘i fshijë, e që Evropa dhe bota mbarë nuk duhet t‘i harrojnë. Vite të mohimit të lirisë themelore të personit njerëzor, përfshi ato të shprehjes, grupimit dhe të besimit, që kanë krijuar çarje të mëdha në jetën shoqërore, duke shënjuar në thellësi sjelljet dhe ndërgjegjet".

Rasti i Shqipërisë kishte qenë unik, i padëgjuar dhe i pashoq në historinë e botës. Në sheshin "Skënderbej", mbrëmjen e 25 prillit, pak orë para se të kthehej në Romë, Papa thotë: "Çfarë ka ndodhur në Shqipëri, të dashur vëllezër e motra, nuk është regjistruar kurrë në histori... Këtu shteti është përpjekur të asgjësojë çdolloj shprehjeje besimi në emër të një ateizmi rrënjësor, i ngritur në një sistem universal dhe totalizues". Një kujdesje e veçantë për popullin shqiptar, keqardhje, por, nga ana tjetër, edhe shpresë për të ardhmen e vështirë, që e priste këtë komb dhe njerëzit e tij. Papa inkurajon, jo me fjalë premtimesh ekonomike apo politike, por me fjalët e një njeriu që dashuron e që flet në emër të Zotit. Vetëm njerëzit dhe vetëm me dashuri mund ta rindërtojnë vendin e ta bëjnë atë të jetueshëm për të gjithë. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet dhe ende është e freskët ajo vizitë, ende është i gjallë shëmbëllimi i asaj dite historike, dite dashurie...!

2. Imzot Rrok Mirdita: për një Shqipëri me Zotin!

Papa Gjon Pali II erdhi në Shqipëri të takonte "popullin fisnik shqiptar", por edhe të ristrukturonte Kishën Katolike. Sa shumë rol kishte pasur Kisha Katolike ndër vite, e sidomos gjatë periudhës komuniste. Sa shumë priftërinj dhe të tjerë kishin vdekur, apo kishin qëndruar burgjeve vetëm për të mos mohuar besimin e tyre. Ky komunitet dilte i lodhur dhe i rraskapitur, nga ajo kohë e gjatë përndjekjeje. Papa erdhi të vizitonte këtë bashkësi, e t‘i jepte në emër të Zotit e të gjithë Kishës Katolike barinjtë që do ta udhëhiqnin. I dha katër shqiptarë: Imzot Frano Iline, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashten dhe Imzot Zef Simonin. Tre prej tyre vinin nga burgjet dhe nga kampet komuniste. Prej atyre të treve, sot është gjallë vetëm Imzot Zef Simoni.

Imzot Rrok Mirdita vinte nga diaspora. Sikurse është edhe e përfiguruar, në një nga vetratat e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, Papa Gjon Pali II, e thërret atë nga Nju Jorku për në Tiranë. Duke iu bashkuar të tjerëve, Imzot Mirdita përqafonte kështu vuajtjen e popullit shqiptar, e sidomos të martirëve të besimit dhe të fjalës së lirë. Gjithmonë ka treguar dhe vazhdon të tregojë respekt dhe nderim për ata njerëz, pasi ata vetë e deshën në mesin e tyre. Njëri prej tyre, dikur i pat shkruar: "I Nderuar... nëse të thërrasin në Shqipëri, mos thuaj jo!" Ai nderim dhe respekt që ka treguar e tregon, sot e kësaj dite, për vuajtjet e atyre njerëzve ka qenë një bekim për punën e tij në Tiranë.

Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet, e fytyra e Kishës Katolike ka ndryshuar në Tiranë. Ajo sot ka strukturat e veta të përfunduara. Për herë të parë, Tirana ka një Katedrale, ajo e Shën Palit Apostull, e lidhur me të Qendra Administrative e Kishës Katolike në Tiranë. Të dyja këto realitete janë të denja për një metropol modern dhe evropian, sikurse po bëhet dita-ditës Tirana.

Kisha në Tiranë ka pasur një rol të rëndësishëm në këto 15 vjet edhe në jetën shoqërore të vendit. Në momente krizash, ajo ka dhënë kontributin e saj, përkrah shumë organizatave, edhe pse ajo nuk është thjesht një organizatë ndihmash, por një bashkësi e gjallëruar nga dashuria për Zotin e për të afërmin.

Pjesëmarrja e strukturave të Kishës Katolike, në kulturë dhe në arsim ka qenë i një niveli gjithnjë e në ngritje. Sot njësia kishtare (dioqeza) Tiranë - Durrës, ka disa shkolla tetëvjeçare, dy prej të cilave janë të një niveli shumë të lartë, një shkollë të mesme të përgjithshme, një profesionale dhe një universitet. Gjithashtu, qendrat shëndetësore të shpërndara kapilarisht në territorin Tiranë-Durrës e sidomos poliambulanca "Luigji Monti", një nga qendrat më të specializuara për analiza e lidhur ngushtë me Universitetin e Zojës së Këshillit të Mirë.

Për këtë rol qendror, Dioqeza Tiranë-Durrës u ngrit në rangun e Mitropolisë nga Selia e Shenjtë dhe më 29 qershor 2005, Benedikti XVI i dha Imzot Mirditës palliumin e shenjtë, si shenjë e bashkimit të veçantë me Ipeshkvin e Romës. Kjo ngjarje ishte një tregues i rëndësisë, që qyteti i Tiranës, nga ana fetare dhe civile, ka para Selisë së Shenjtë.

Një marrëdhënie korrekte dhe e mirë me shoqërinë civile, ka qenë një nga karakteristikat dalluese të Kishës Katolike në Shqipëri në të kaluarën, e në mënyrë të veçantë në këto pesëmbëdhjetë vjet. Një marrëdhënie kjo shumë delikate në Shqipëri, ku ekziston një realitet shumë i ndjeshëm ndaj respektimit të autonomive reciproke dhe mosndërhyrjes në problemet e brendshme të secilit. Tirana, si qendër administrative civile, bëhet dalëngadalë edhe qendra e kësaj marrëdhënie shtet-kishe.

Marrëdhëniet me bashkësitë e tjera fetare e kanë parë Kishën Katolike në Tiranë, por në veçanti Mons. Mirditën në shumë takime të karakterit ndërfetar kombëtar dhe ndërkombëtar. Vetë humusi i shoqërisë shqiptare ishte i tillë, që lejonte një dialog të mirë, por edhe përvoja që ai sillte nga diaspora, ku i kishte shërbyer një "Shqipërie në miniaturë", sikurse e përsërit shpesh edhe ai vetë, kanë bërë që sot dialogu ndërfetar të jetë i një niveli cilësor në Shqipëri.

"Për një Shqipëri me Zotin", është titulli i një libri të Mons. Mirditës, por edhe lajtmotivi i pranisë së Kishës Katolike në Tiranë në mbarë Shqipërinë. Me të vërtetë, një popull që dëshiron progresin e vërtetë nuk mund ta bëjë duke u shkëputur nga Zoti, përndryshe është një shoqëri e destinuar të vetëshkatërrohet, sikurse ndodhi me regjimin komunist. Një Shqipëri me Zotin, do të thotë një Shqipëri e shëndetshme.

Mund të thuhen shumë gjëra, mund të përmenden shumë vepra në këtë përvjetor, ose më mirë të themi në këto dy përvjetorë. Në fund të fundit nuk ka rëndësi shumë sasia e gjërave që bëhen, se sa cilësia shpirtërore me të cilën bëhen. Në çaste të caktuara, Zoti zgjedh njerëz të caktuar për t‘u folur njerëzve në emër të Tij, jo për shkak të meritave të njerëzve, por për shkak të dashurisë së Tij. Kështu, Zoti zgjodhi në ato momente Imzot Rrok Mirditën dhe e solli në Shqipëri t‘u fliste shqiptarëve dhe Tiranës në emër të Zotit. Pesëmbëdhjetë vjet janë pak dhe shumë në të njëjtën kohë për të përmbushur detyrat që na caktohen. Rrugëtimi vazhdon...! Ajo që në këtë përvjetor mund të themi, është: AD MULTOS ANNOS!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›