E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bojkoton përsëri punimet e Kuvendit, edhe pse ishin votimet për institucionet

24-06-2011 / Gazeta 55

Parlamenti tregohet vullnetmirë, miraton një kandidaturë për Kushtetuesen, i kërkon presidentit të zërë mend, kur të sjellë propozimet e reja

Me votim nominal kuvendi miratoi dekretin Presidentit për emërimin e Fatmir Hoxhës, anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Më votim të hapur, kandidatura e Fatmir Hoxhës për anëtar i Gjykatës Kushtetuese mori 72 vota pro duke u emëruar kështu anëtar i kësaj Gjykate. Kuvendi nuk votoi 3 kandidaturat e tjera për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sipas propozimit të komisionit të Ligjeve.
Ky vendim erdhi pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese që kjo gjykatë nuk mund të përtërihej me më shumë se 3 anëtarë çdo 3 vite. Kuvendi ndërmori këtë procedurë votimi pas vendimit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të deputeteve të Partisë Demokratike përligji shqetësimin e tyre ligjor për çështjen e parimit të zgjedhjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë bazuar në principin e rotacionit si dhe të konsultimit të institucionit të presidentit me atë të kuvendit. Në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Parimit të bashkëpunimit institucional që imponon gjykata, kuvendi miratoi projektvendimin e komisionit  parlamentar të ligjeve, i cili propozon që t’i kthehen mbrapsht presidentit  dekretet e tjera për emërimin e gjykatës kushtetuese.
Ky dekretet ashtu si edhe ligjet e tjera që ishin parashikuar në rendin e ditës së seancës së djeshme janë miratuar vetëm nga votat e mazhorancës, ndërkohë që vendet e opozitës ishin bosh në vijim të qëndrimit të saj bojkotues.
Deputetët e mazhorancës miratuan edhe ndryshimet në ligjin për arsimin dhe formimin profesional, cilësuar mjaft i rëndësishëm nga ministri i arsimit në funksion të reformimit të sistemit arsimor.
Në fjalën e tij ministri i arsimit, Tafaj theksoi se “oferta e arsimit profesional është përshtatur më mirë ndaj kërkesave të ekonomisë dhe në tregun e punës përmes hapjes së degëve dhe të  profileve të reja. Në 17 shkolla të mesme profesionale në qytetet kryesore të vendit janë hapur degë të reja në fushën e teknologjisë dhe të komunikimit.
Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli duke vlerësuar këtë ligj, si mjaft të rëndësishëm në sistemin arsimor të vendit shprehu keqardhje për mungesën e opozitës në kuvend. Topalli u shpreh se sot në botë fokusi është te inovacioni tek teknologjia e informacionit dhe tek investimi tek dija, ndaj dhe e konsideroi si një ndër ligjet më të rëndësishme dhe shprehu keqardhjen që opozita nuk ishte e pranishme.
Gjithashtu në këtë seancë parlamentare u votua me votim të fshehtë edhe për kreun e ri të Entit Rregullator të Energjisë. Emri i Sokol Ramadanit mori 72 vota “pro” duke u zgjedhur kështu kryetari i ri i ERE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›