“Shqipëria, mundësi të jashtëzakonshme për investime”

Gjatë forumit të Crans-Montana-s, Kryeministri Berisha merr mbështetjen e kryeministrit të Azerbajxhanit për kalimin në territorin e Shqipërisë të gazsjellësit “TransAdratik”
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha fton investitorët e huaj ta konsiderojnë Shqipërinë një vend ku investimet e tyre do të gjejnë të gjithë klimën e përshtatshme për tu shndërruar në histori të vërteta suksesi. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Bruksel, mori pjesë dje në hapjen e punimeve të Forumit të Crans Montana-s për Azerbajxhanin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha prezantoi potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në fushën e turizmit, të energjisë dhe burimet minerare.
Duke vënë në dukje se ekonomia shqiptare është një nga të paktat ekonomi që nuk ra në recesion sepse modeli i saj funksionon, kryeministri tha se, “po realizohen përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm të vendit, për të bërë realitet Shqipërinë një vend të zhvilluar”.
Berisha nënvizoi se, “modeli ynë ekonomik bazohet në politikat e taksave të ulëta, ne jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Modeli ynë ekonomik funksionoi sepse ne kemi administratën më të vogël, sektori ynë publik është sa gjysma e fqinjëve tanë”, u shpreh kryeministri.
Ai bëri të ditur se klima e biznesit është shumë e favorshme, ndërsa theksoi ecurinë e vendit për sa i përket regjistrimit të biznesit si dhe investimeve. Në fjalën tij, kreu i ekzekutivit deklaroi se, Shqipëria në vetvete është një Norvegji e vogël në Ballkan, që do të thotë një vend shumë i pasur me ujëra.
“Ne vendin tim do të ndërtohen 443 stacione hidro-energjie falë një ligji shumë të mirë. 220 kontrata janë nënshkruar me 220 investitorë privatë, 36 stacione hidro-energjie janë në ndërtim e sipër. Një prej tyre është projekti më i madh në Evropë, i cili po realizohet nga kompania EVN e Austrisë dhe Statkraft e Norvegjisë”, bëri të ditur Berisha.
Ai tha se, Shqipëria ka të gjitha mundësitë për tu bërë një superfuqi e vogël rajonale për energjinë e gjelbër ndërsa ftoi investitorët të konsiderojnë investimin në fushën e energjisë në vendin tonë.
Kryeministri bëri të ditur bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë e Katarit, si dhe shprehu besimin se Shqipëria do të bëhet një qendër e madhe e shpërndarjes së energjisë në rajon. Berisha nënvizoi se, “duke qenë vendi më perëndimor i Ballkanit, Shqipëria përbën gjithashtu trajektoren me fizible për të gjithë gazsjellësit. Ne po presim për të bërë realitet, projektin më fizibël të gazsjellësit, atë të Trans-Adriatikut, një projekt më i shkurtër, më i shpejtë për tu ndërtuar dhe që pa dyshim ka një të ardhme të madhe”, tha ai. Gjithashtu, kryeministri siguroi se, me arritjet e qeverisë shqiptare, në drejtim të krijimit të një klime sa më të favorshme për biznesin dhe me masat e ndërmarra në vazhdimësi për lehtësimin e tij, investimet në këtë vend do të jenë histori të vërteta suksesi.
Duke bërë një pasqyrë të potencialeve turistike të vendit tonë, kreu i qeverisë tha se, “për këtë vit Shqipëria është shpallur nga disa agjenci botërore udhëtimi, si vend i parë për t’u vizituar. Jam i bindur se askush nuk do të humbasë para, duke investuar në vendin tim dhe gjithashtu duhet marrë në konsideratë investimi në zonat malore, ku investitorët, për çdo lloj projekti, për tetë vite do të jenë pa taksa”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Berisha.