E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE me plan të shpëtimit

Njëzet e shtatë ministrat e Financave të Bashkimit Evropian zhvilluan sot në Bruksel një takim të jashtëzakonshëm, për t’i diskutuar detajet e planit i cili do të ndihmojë vendet e trazuara që përdorin euron, për të penguar dobësimin e mëtejmë të valutës së përbashkët.

Udhëheqësit e vendeve të eurozonës thanë të shtunën se po krijojnë një fond të ri të krizës, për t’i ndihmuar këto vende.

Liderët e 16 shteteve që përdorin euron, gjithashtu janë dakord të imponojnë kufizime të papërcaktuara ndaj spekulatorëve, të cilët i fajësojnë për sulmet ndaj euros.

Udhëheqësit europianë kanë miratuar një paketë prej 110 miliardë dollarësh në hua emergjente, për ta ndihmuar Greqinë të përballojë borxhin publik në rritje.

Ka shqetësime se edhe vendet e tjera që përdorin euron, përfshirë Spanjën dhe Portugalinë, mund të ballafaqohen me probleme të njëjta.

Javën e kaluar, euroja ra deri në 1,25 dollarë, ndërkohë që kriza greke e lëkundi edhe besimin e tregjeve financiare në aftësinë e disa shteteve më të dobëta të BE-së që të mund t’i kthejnë prapë huatë.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se vendet e eurozonës janë të gatshme të ndërmarrin çfarëdo hapi të nevojshëm për të mbrojtur stabilitetin e valutës së përbashkët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›