E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestinezët dakord për bisedimet indirekte

Sipas presidentit palestinez, Mahmuod Abass, edhe Lëvizja Fatah dhe Organizata për Çlirimin e Palestinezës, kanë rënë dakord për zhvillimin e bisedimeve paqësore indirekte me Izraelin, nën ndërmjetësimin e SHBA-së.

Vendimi u mor pas tri orë diskutimesh, të cilat u zhvilluan në qytetin e Ramallahut, në Bregun Perëndimor.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, George Mitchell kishte filluar tashmë bisedimet të mërkurën e kaluar.

Qeveria e SHBA-së shpreson se këto bisedime do të çojnë në rinisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve.

Kreu i ekipit negociator të palestinezëve, Saeb Erakat, deklaroi para medieve në Ramallah se “bisedimet jo të drejtpërdrejta tashmë kanë filluar”.

Erakat foli pas takimit që pati me Mitchellin.

Në anën tjetër, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se paqja me palestinezët do të jetë e pamundur pa bisedime të drejtpërdrejta.

Duke folur para kabinetit të tij, Netanyahu, kërkoi që të lëvizet nga bisedimet me ndërmjetësimin e SHBA-së, me qëllim që të fillojnë kontaktet e drejtpërdrejta me palestinezët.

Siç dihet, negociatat paqësore në Lindjen e Mesme kishin ngecur, si rezultat i refuzimit të Izraelit që të ndërpret aktivitetet nëpër kolonitë në territoret e pushtuara, gjë që është kërkuar edhe nga Washingtoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›