E Diel, 1 Nëntor 2026

BE miraton misionin për anijet luftarake kundër piratëve

Autori i Lajmit: red.
Bashkimi Evropian miratoi dje misionin për anijet luftarake kundër piratëve në bregdetin somalez. Për këtë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të 27 vendeve anëtare miratuan në Bruksel një plan veprimi për misionin e BE-së që do të fillojë në dhjetor. Gjermania do të marrë pjesë me një fregatë. Përveç kësaj në rend të ditës dje ishin edhe raportet e ardhshme me Rusinë. Shumica e vendeve të BE-së duan të vazhdojnë negociatat për një marrëveshje partneriteti me Moskën, të ngrira si pasojë e luftës me Gjeorgjinë. Kundër janë vetëm Polonia, Çekia dhe Lituania. Tema të tjera të takimit ishin edhe gjendja delikate në Kongo dhe në Afganistan. Takimi ishte interesant edhe në lidhje me nxjerrjen e ndonjë deklarate mbi misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX. Javën e kaluar gjatë qëndrimit të tij në Beograd, zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian i ngarkuar me Ballkanin Pierre Mirel tha se BE-ja ka pranuar se vendosja e misionit EULEX në Kosovë duhet të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit planifikon ta trajtojë çështjen të martën e ardhshme. Zyrtarët serbë janë shprehur vazhdimisht, se Serbia do ta pranojë misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë vetëm në qoftë se merr garanci të caktuara si ajo se qëndrimi i këtij misioni do të ishte asnjëanës dhe se ai nuk do të punonte për vënien në jetë të planit të ish-emisarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën në vitin 2008, Marti Ahtisari. Deri tani në lidhje me këtë nuk ka pasur një qëndrim të Brukselit zyrtar, ndërkohë që në një deklaratë të përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, Piter Fajt thuhet se deklaratat e zotit Mirel nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian. Nga politikanët kosovarë është theksuar vazhdimisht se misioni EULEX është i pranueshëm vetëm në rast se ai do të punojë për zbatimin e planit Ahtisari dhe në përputhje me Kushtetutën e re të Kosovës.
Mirel kishte thënë se Brukseli e pranonte të qënit asnjëanës kundrejt statusit, çfarë do të thoshte se prania e misionit nuk do të nënkuptonte kurrsesi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më tej Mirel kishte deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do t i referohej planit Ahtisari, i cili parashikon rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Presidenti serb Boris Tadiç citohet prej agjencisë Tanjug me fjalët: “Gjendemi në fazën kur parakushtet tona kundrejt vendosjes së EULEX-it pranohen në deklarata prej zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, por për sa kohë nuk marrim garanci me shkrim, nuk do të ketë marrëveshje”.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›