E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtarë të huaj, të ftuar në panairin “Tirana 2008”

Autori i Lajmit: red.
Është traditë tanimë edhe për Panairin e Librit që mbahet në Tiranë prej 11 vjetësh që veç personaliteteve të letrave shqipe, të ftohen edhe shkrimtarë të huaj. Janë jo pak të njohur në vendet e tyre, por prej vitesh janë botuar edhe në shqip, ndaj çdo vit, shkrimtarë të ndryshëm përballen me lexuesit dhe vizitorët e panairit. Përveç shkrimtarit Alberto Bevilacqua, një tjetër gazetar dhe shkrimtar italian, Rafaele Nigro është i ftuar në Panairin e 11-të të Librit që mbahet më 14-18 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në shqip, “Toena” për lexuesin shqiptar ka sjellë dy prej romaneve të tij më të vlerësuar ndërkombëtarisht, “Baronesha e Oliventos” dhe “Zjarret e Bazentos”. Shkrimtari ynë, Dritëro Agolli shkruan për romanin “Baronesha e Oliventos” të Nigros: “…Romani i Rafaele Nigros nuk është historik në kuptimin klasik, ai është si një shkencë plot fantazi që shpreh jo vetëm veçoritë biologjike të njeriut, si qenie e gjallë e natyrës, por edhe ndërgjegjen e tij historike”. Ndërsa romani tjetër i tij jo pak i suksesshëm, “Zjarret e Bazentos”, transformon një epope të gjallë popullore (me revolucione e uri, luftëra e epidemi, masakra dhe dashuri, utopi politike e epifani magjike) në një afresk epik e mitologjik, i cili bashkëngjit ngjarje historike e aventura interesante, revolta e profeci fetare, plaçkitje banditësh e luftëra politike. Përkrah personazheve historikë (nga mbreti i Napolit deri te kardinali Rufo, nga Murati te Garibaldi nga Kroko te Tomaso Bindi) lëvizin katër breza të një familjeje të njohur argatësh, me Françeskon, të cilin në 1799 e shohim të udhëheqë një revoltë kundër Borbonëve midis Ofantos, Bazentos e Kratit e Rafaele Arcangelos, një karmelitan i zbathur e me vraja, i cili në 1830 themelon Azilin e Gjakut të Vyer, me shumë gra guximtare ose mendjelehta e shumë fëmijë kuriozë e të magjepsur. Rafaele Nigro transformon një grup kronikash familjare të një epoke në një sagë gjaku dhe poezie, me ngjarje surreale e vizione, me biseda të vdekurish e kafshësh, me pjesë poetike e ekzorcizma, ndjenja të përditshme e pasione shkatërruese. Dritëro Agolli për Rafaele Nigron është shprehur se: “Romani “Baronesha e Oliventos i Rafaele Nigros nuk është historik në kuptimin klasik, ai është si një shkencë plot fantazi që shpreh jo vetëm veçoritë biologjike të njeriut, si qenie e gjallë e natyrës, por edhe ndërgjegjen e tij historike”. Prandaj as thjesht antropologjik nuk mund ta quash këtë roman me një elegancë brilante. Ai është një roman fantazmagorik, ku plekset realiteti historik me realitetin fantastik, ku bashkohen elementet e përrallës, baladës mistike, rapsodisë epike, maksimës së mprehtë dhe kronikës së thatë… Por ajo që do ta bëjë më të ndjeshme këtë vepër në Shqipëri është dashuria që e përshkon atë për shqiptarët dhe historinë e tyre, për luftërat e Skënderbeut, për simpatinë ndaj një populli të varfër, por të ndershëm, për respektin ndaj pasurisë shpirtërore të tij dhe për lidhjet që në rrënjë mes italianëve dhe shqiptarëve, të cilët, siç thuhet, i ndan vetëm një mur prej uji të kripur. Edhe shqiptarët, edhe italianët flokët i kanë të kripur nga një kripë, nga kripa e Adriatikut dhe e Jonit”. Rafaele Nigro (Melfi 1947) jeton në Bari ku punon si gazetar në stacionin televiziv Rai. Ka shkruar shumë romane të suksesshëm, të përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës duke bërë që fama e tij të kapërceje kufijtë e Italisë. Në karrierën e tij rradhiten edhe një sërë çmimesh letrare të fituara. Ndër veprat më të vlerësuara të tij janë “Zjarret e Bazentos” (1987) që ka marrë Çmimi Supercampiello, “Baronesha e Olivent” (1990), vlerësuar me Çmimin Frontino; Giunti Compact 1999; libri “Hije mbi Ofanto” (1992) vlerësuar me Çmimin Griziane Cavour; Giunti Compact 1999); libri “Adriatiku” (1998), vlerësuar me Çmimin Selezione Bancarella; libri “Ditar mesdhetar” (2001) vlerësuar me Çmimin Cesare Pavese si dhe Çmimin Siris në vitin 2002 në “SirisFestival” që zhvillohet çdo vit në Nova Siri. Por në bibliografinë e botimeve të tij janë edhe një sërë studimesh dhe esse-sh, kryesisht për historinë dhe kulturën e Jugut të Italisë.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›