E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhim Belushi në Shqipëri, si do ta presin korçarët me shqerra të pjekura

Autori i Lajmit: red.
“Xhim Belushi e ka mbajtur premtimin për t u rikthyer në vendlindjen e tij dhe do ta vizitojë atë për herë të dytë këto ditë. Fshati me traditë ka nxjerrë mësues dhe njerëz të shkolluar, por familja Belushi e nderon në veçanti Qytezën. "Familja Belushi ka emigruar në Çikago në vitin 1927. Në vitet 1930-1938, fshati njohu lulëzimin e tij më të madh, duke numëruar afro 200 familje. Atëherë shumë familje qytezare emigronin në Amerikë”

“Sot më kot kërkojmë që të shohim ndonjë gjurmë të shtëpisë së vjetër të Belushëve, diku në anën tjetër të lumit dhe fare pranë rrëzës së malit. "Nuk ka mbetur asgjë më nga shtëpia e Belushëve. Mendojmë që të ngremë atje mure simbolike të shtëpisë së tyre", - tregojnë banorët e zonës”

“Pritja për aktorin Xhim Belushi që këtë herë vjen pa babanë e tij, mendohet të organizohet në natyrë, ose në shkollën e fshatit në rast se klima nuk do të jetë e përshtatshme këtë fillim nëntori. Qytezarët do të mblidhen sërish nga të katër anët e vendit që të mirëpresin birin e tyre tek i nderon me vizitën e dytë në vendlindje”

Aktori i famshëm hollivudian me origjinë shqiptare Xhim Belushi i cili ka mbërritur në Shqipëri, ka bërë dje një vizitë në shkollën Sami Frashëri në kryeqytet ku është shoqëruar nga Princi Leka. Kjo është hera e dytë që aktori i madh vjen në vendin e tij të origjinës. Vizita ishte e paralajmëruar prej Belushit ku edhe më parë ai ishte shprehur për media shqiptare se do të vizitojë vendin e origjinës së tij për arsye bamirësie. Në krye të një misioni të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, aktori më origjinë shqiptare ka mbledhur fonde për fëmijët me të meta fizike e mendore. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Xhim Belushi do të vizitojë edhe Korçën dhe veçanërisht fshatin e tij të origjinës Qytezë ku dhe i është përgatitur një pritje mbresëlënëse nga banorët e kësaj zone. Në Devollin e sipërm janë disa fshatra të vendosur rrëzë malit që kanë më shumë gjelbërim se sa shtëpi dhe banorë. Mirasi është qendra e komunës, nga ku lëmë pas një rrugë në sistemim e sipër dhe udhëtojmë në dalje të fshatit. Autovetura që drejton qytetari Pandi Tase, me pak vështirësi kalon një urë të ngushtë druri dhe i ngjitemi një rruge të përpjetë të shtruar me çakëll. "Këtë rrugë nga ura deri në fshat e kemi shtruar me kontributet e komunitetit tonë. Prej vitesh e kemi pasur traditë, që të japim ndihma në të mirë të fshatit tonë, e një zakon i veçantë është ankandi që organizojmë me blerjen e pjesëve të një bagëtie të therur me rastin e festës së Qytezës. Të hollat shkojnë në formë bamirësie për nevoja të fshatit tonë", - nis të tregojë për ato që ruan si vlera të rralla vendlindja e tij, Pandi Tase. Si shumica e banorëve të Qytezës që i ka tërhequr migrimi nëpër botë apo qytete të ndryshme të vendit, ai është vendosur prej kohësh në qytetin e Bilishtit, por mbetet një frekuentues i rregullt i vendlindjes.
Drekë për Belushin në shkollën e Qytezës
Këtë herë rikthehet në fshatin e tij, vendosur në të dy anët ku fillon lumi i Devollit, sepse ka marrë përsipër organizmin e festës së pritjes së amerikanit me origjinë nga Qyteza, të mirënjohurit Xhim Belushi. "Ja këtu, në shkollën e vjetër të fshatit do ta presim me një drekë Belushin", - tregon Pandi Tase, ndërsa na bën të ditur se një dhomë e shkollës me një ambient të përshtatshëm do të jetë gjithnjë gati për pritjen e çdo vizitori që viziton Qytezën. Duket se është shumë i dëshiruar që fshati i tij të ketë gjallërinë e njerëzve të mungur këtu prej vitesh. Vetëm 3 familje banojnë në Qytezën e braktisur, ku shtëpitë e vjetra prej guri me çatitë prej plloçash kanë filluar të rrënohen një e nga një. Kështu ndodh edhe me fshatin Sinicë, të vendosur mbi Qytezën, me Arzën apo fshatra të tjera të Devollit të sipërm. Një qetësi e thellë mes gjelbërimit të pemëve dhe ngjyrës së hirtë të gurëve e plloçave të çative, të ngjall një ndjenjë trishtimi për braktisjen që fshati ka kaluar ndër vite. Qytezarët, një herë në vit, mblidhen për festën e fshatit të tyre, e këtë fillim nëntori do t u duhet të nisen sërish drejt fshatit të tyre, që edhe ashtu me pasojat e largimeve e përshkruajnë me adhurim.
Belushi nderon për herë të dytë Qytezën
Xhim Belushi e ka mbajtur premtimin për t u rikthyer në vendlindjen e tij dhe do ta vizitojë atë për herë të dytë këto ditë. Fshati me traditë ka nxjerrë mësues dhe njerëz të shkolluar, por familja Belushi e nderon në veçanti Qytezën. "Familja Belushi ka emigruar në Çikago në vitin 1927. Në vitet 1930-1938, fshati njohu lulëzimin e tij më të madh, duke numëruar afro 200 familje. Atëherë shumë familje qytezare emigronin në Amerikë, por ne vazhdimisht kemi qenë të bashkuar nëpërmjet shoqërisë sonë “Përparimi", - tregon 71- vjeçari nga Qyteza, Thanas Zarkadha. Ai së bashku me gruan e tij banojnë në Tiranë, por në stinën e verës i rikthehen Qytezës malore. "Jetën time më të mirë e kam bërë këtu në Qytezë", - thotë ish-mësuesi Zarkadha, teksa kujton se në vendlindjen e tij ahengjet e organizuara fshatshe nuk kanë mungur asnjëherë, e sidomos në dimër. "Kështu, me aheng e festë do ta mirëpresim përsëri Xhim Belushin", - shprehet ky i moshuar. Pandi Tase shton se të gjitha degët e shoqatës qytezare "Përparimi" do të kontribuojnë për një pritje sa më të denjë të aktorit të shquar me origjinë qytezare. "Ja e shikoni këtë furrë balte. Është nga të rrallat, që mund të hasësh, për sa u përket traditave të vjetra, e ne këtu do të pjekim shqerrat për drekën e Belushit", - thotë Pandi Tase. Më kot kërkojmë që të shohim ndonjë gjurmë të shtëpisë së vjetër të Belushëve, diku në anën tjetër të lumit dhe fare pranë rrëzës së malit. "Nuk ka mbetur asgjë më nga shtëpia e Belushëve. Mendojmë që të ngremë atje mure simbolike të shtëpisë së tyre", - na tregon Tase. Pritja për aktorin Xhim Belushi, që këtë herë vjen pa babanë e tij, mendohet të organizohet në natyrë ose në shkollën e fshatit, në rast se klima nuk do të jetë e përshtatshme këtë fillim nëntori. Qytezarët do të mblidhen sërish nga të katër anët e vendit që të mirëpresin birin e tyre tek i nderon me vizitën e dytë në vendlindje. "Xhimin ne e kemi të pranishëm, sepse është President nderi i një kompanie kanadeze mineralesh që ka aktivitet edhe në rrethin e Devollit", - tregon Pandi Tase, ndërsa shton se aktori me këtë rast vizite do të interesohet edhe për ecurinë e biznesit të tij.
Ardhja e Belushit, meraku i qytezarëve
Një pritje sa më e kënaqshme për aktorin e shquar, është meraku i qytezarëve këto ditë. "Nuk do ta harojmë kurrë atë vizitë të parë të Xhim Belushit në majin e vitit 1995, kur e mbajti premtimin dhe ktheu për herë të parë e të fundit në vendlindje babanë e tij, e teksa i ra në gjunjë në hyrje të fshatit me shprehjen: "Mirëseerdhe në fshatin tënd, baba, ne të gjithë shpërthyem në lotë malli", - tregon qytezari i moshuar Thanas Zarkadha. Në banesën e tij tipike prej fshati, një mobilim të thjeshtë e të trashëguar prej vitesh, biseda kalon sa nga një kujtim në tjetrin, tek traditat që ruan Qyteza dhe vlerat me të cilat mburren banorët e saj, edhe pse të larguar nga vendlindja. Do të investojmë edhe më shumë për fshatin, do të shtrojmë rrugën e do të kujdesemi për shkollën që qytezarët të fillojnë të rikthehen më shpesh në fshatin e tyre", - shpreh besimin e tij 71-vjeçari Zarkadha. Një prej atyre që nuk e harojnë Qytezën dhe i rikthehet vendlindjes është Xhim Belushi, i cili këto ditë viziton sërish fshatin e tij të largët me mallin e një të larguari që mban gjak shqiptari e qytezari.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›