BE mirëpret Shqipërinë dhe Ballkanin në Union, shton parakushtet për Turqinë

Ministrat e jashtëm të BE deklaruan sot në Pragë se mirëpresin në union të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sapo të miratohej Traktati i Lisbonës në fund të këtij viti, por vendosën si parakusht mundësinë e unionit për të përballuar ekonomitë e reja, çka vë në rrezik absorbimin pa probleme të ekonomisë së madhe e të ndërlikuar turke.
Dyert e BE-së mbeten të hapura për anëtarësimin e mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Turqisë, kanë konfirmuar dje përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Unionit, pas takimit me shefat e diplomacive të BE-së, që po mbahet në pallatin çek Hlluboka. Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së i bindën përfaqësuesit e këtyre vendeve se dyert e Unionit mbeten të hapura për ta edhe krahas pasigurisë për zgjerimin e BE-së, megjithatë duket se rruga është vështirësuar disi për Turqinë. Ministri çek i Punëve të Jashtme, Karl Shvercenberg, vendi i të cilit për momentin po kryeson me BE-në, deklaroi në konferencë për shtyp se detyra e tij në forum ka qenë tu sqarojë "miqve perëndimorë evropianë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe se vendet ballkanike duhet të pranohen sa më parë në Union". Nga shtatë vendet e Ballkanit perëndimor, synimet e të cilave për anëtarësim në BE u shqyrtuan sot, Kroacia është më afër inkuadrimit dhe shpreson që t'i përfundojë negociatat deri në fund të vitit. Ajo së pari duhet ta përfundojë kontestin kufitar me Slloveninë, e cila është anëtare e Unionit që prej vitit 2004 dhe e cila e bllokon kandidaturën e Kroacisë. Maqedonia mori status të kandidates në vitin 2005, por ende nuk e ka zgjidhur kontestin me Greqinë lidhur me emrin kushtetues. Shqipëria ka shpallur se do ta paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij gjashtëmujori, ndërkohë që më herët të njëjtin hap e ka ndërmarrë edhe Mali i Zi. Ministrat e jashtëm shtuan një parakusht për përfundimin e procesit me vendet ballkanike, atë të miratimit të Traktati të Lisbonës, që pritet të përfundojë brenda këtij viti, por së pari, aftësinë e BE-së për të thithur pa trauma ekonomitë e vendeve të reja. Nëse për vendet ballkanike, kjo duket se nuk përbën problem, çështja e Turqisë vështirësohet më tepër, pasi duket se absorbimi i kësaj ekonomie duket e vështirë për BE-në, e zhytur në krizën më të vështirë financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Në një vështrim të parë, analistët u shprehën se parakushtet e reja nuk drejtoheshin kundër vendeve ballkanike, stabiliteti i të cilave është jetik për BE-në, por thjesht një pengesë tjetër për të shtyrë në pafundësi integrimin e Turqisë në BE, skepticizëm për të cilin nuk kanë ngurruar të shprehen në publik edhe lokomotivat e Bashkimit Evropian, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikola Sarkozi.
...