Gërdeci, aty ku planifikohej të fitoheshin miliona
Të paktën formalisht, komunikimi me fakse i kompanisë amerikane, SAC, me Ministrinë e Mbrojtjes, fillonte gjithmonë në të njëjtën mënyrë: “Dear Mr. Mullai,”. Pastaj vazhdonte me falënderime shumë të mirësjellshme për marrjen në konsideratë të propozimit për demilitarizimin e municioneve. Çfarë tjetër ka ndodhur mes kompanisë amerikane, marrëdhëniet e saj me Ministrinë e Mbrojtjes e më pas edhe me “AlbaDemil”-in e Delijorgjit, krijimin e rrufeshëm të kësaj të fundit, bashkimin e tyre dhe më pas edhe ndarjen e aksioneve mes tyre, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet mister. Botimet e fundit në media, bazuar në kërkesën për gjykim të çuar në Gjykatën e Lartë, kanë nxjerrë një moment krejt interesant. Një gjurmë të tillë, e ka dëshmuar edhe vetë revista “MAPO”; bëhet fjalë për momentin e arritjes në Ministrinë e Mbrojtjes të kërkesës nga SAC dhe marrjes së ofertave për të njëjtën punë nga ndërmarrjet ushtarake shqiptare.
Burime të cituara atëherë nga revista “MAPO” kanë pohuar se në dimrin e vitit 2007, pikërisht në zyrën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai, sot me statusin e të pandehurit në grupin që do të gjykohet për tragjedinë e Gërdecit, janë mbledhur të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve ushtarake. Atyre iu është kërkuar të bëjnë një analizë kostoje për demontimin e municioneve të lehta. Në fakt, ka pasur nga dy analiza të tilla të njëpasnjëshme që kundërshtonin njëra-tjetrën. E para ka konfirmuar se i kryer në ndërmarrjet ushtarake ky lloj operacioni dilte me fitim për shtetin dhe i dyti, se ishte një aktivitet që dilte me humbje. Dy nga drejtorët e ndërmarrjeve ushtarake gjithashtu janë marrë të pandehur nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare; dyshohet se ata kanë manipuluar shifrat e ofruara për një punë të tillë. Siç duket, gjithçka tjetër ishte përllogaritur me kujdes në prapaskenë, por me një detaj që u kishte shpëtuar të gjithë të interesuarve që SAC dhe “AlbaDemil” të merrnin përsipër demilitarizimin e municioneve të lehta: një kopje e llogarive të mëparshme ishte protokolluar. Një mendjelehtësi e pabesueshme që deri më tani ka çuar dy ish-drejtorë të merren të pandehur dhe mbi të gjitha një gjurmë, e cila të çon me lehtësi në shtigje të dyshimta drejt prapaskenave që nxorën “fitues” SAC & “AlbaDemil”.
Sa kushtonte?
Kjo është pyetja që mund të ngacmojë “kuriozitetin” e gjithkujt. Një pyetje që në fakt nuk do të marrë ndonjëherë përgjigje shteruese. Dihet se çfarë ofrohej, por është e pamundur të llogaritet se sa do të fitohej nga ky investim në emër të demilitarizimit të municioneve të lehta, fillimisht, dhe më pas, edhe predhave të rënda të ushtrisë shqiptare. Burime të revistës “MAPO” nga Ministria e Mbrojtjes saktësojnë pikërisht këto detaje. SAC, me qendër në Loris, Karolinën e Jugut kishte bërë një ofertë që në pamje të parë dukej e pranueshme. Gjithmonë, nëse “hesapet” e bëra në Shqipëri me ndërmarrjet ushtarake do të nxirrnin me humbje këtë aktivitet. Pretendimi se SAC e më pas edhe “AlbaDemil” do të investonin në makineri dhe pajisje, të cilat nuk ekzistonin në Shqipëri, në gjuhën e shifrave përkthehen thjesht: do të vinin deri në nëntë makineri të tillë, secila me një kosto nga gjysmë milioni deri në 300 mijë dollarë; të parashikuara për një proces demontimi që do të zgjaste deri në gjashtë muaj në Gërdec, ato do të shërbenin për demontimin e fishekëve 7.62, 12.7, 14.5 dhe 37 milimetra. Në llogaritë e tyre përfshihej dhe kostoja e kontejnerëve, secili prej tyre do të kushtonte 7 mijë dollarë. Më shtrenjtë do të kushtonte rehabilitimi i ish-repartit të tankeve në Gërdec, ku parashikohej të investohej një shumë e përafërt me një çerek milioni dollarë.
Por nuk mbaronte këtu. Parashikohej që në Gërdec të punësoheshin deri në dhjetë teknikë amerikanë, të cilët do të paguheshin deri në 11 mijë dollarë në muaj për secilin, një shumë së cilës do t´i shtohej pagesa për punëtorët shqiptarë, deri në 100 vetë, të cilët në total do të kushtonin 360 mijë dollarë për të gjashtë muaj që do të funksiononte projekti, me një rrogë mesatare prej 600 dollarësh në muaj. Të paktën kjo shifër, sipas dëshmive të të mbijetuarve nga Gërdeci, do të ishte deri në dy herë më e vogël realisht. Dhe nga gjithë të punësuarit aty, vetëm një pakicë do të përfitonte dhe sigurime shoqërore.
Në këmbim të këtij “investimi” fillestar, SAC propozonte se mund të paguante për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes 1 milion dollarë për gjashtë muaj për kalibrat e lehtë dhe 1.6 milionë dollarë për municionet deri në 37 milimetra. Gjithsej, për 1 milion e 300 mijë njësi fishekësh.
Këtu mund të ngrihet dhe pyetja në dukje naive: me rreth 3 milionë dollarë investim, të njëjtën gjë mund ta bënte vetë shteti shqiptar, mund ta bënte në ndërmarrjet e specializuara të tij ushtarake që më së paku, jo vetëm fitim financiar, por do të garantonin edhe siguri shumë herë më të madhe se baraka e Gërdecit dhe fuqi punëtore shumë herë më të kualifikuar sesa banorët e zonës, gratë dhe fëmijët që punonin në fshatin e tragjedisë.
Sa fitohej?
Është e pamundur të llogaritet direkt përfitimi nga pjesa e parë e operacionit të demontimit të fishekëve, sepse në dimrin e 2008, furnizimi me fishekë i “Gërdecit” po bëhej gjithmonë e më i vështirë. Sepse gjithmonë e më i vështirë po bëhej identifikimi i këtij lloj municioni që kishte gëzhojë tunxhi. Dhe zgjidhja u gjet, që në vend të fishekëve, u vendos që në Gërdec të dërgoheshin predha të kalibrit të rëndë deri në 152 milimetra. Që peshonin natyrisht shumë me tepër dhe kishin deri në disa kilogramë tunxh për njësi në gëzhojë.
Ministria e Mbrojtjes, në kontratën e firmosur, kishte marrë përsipër dhe koston e transportit të municionit deri në Gërdec. E bërë me kamionët e ushtrisë, duke përdorur ushtarë të shërbimit të detyrueshëm si hamej, kostoja e transportit vërtitej diku te gjysmë milioni dollarë. Një llogari e përafërt - e nxjerrë nga ekspertë armatimi në mënyrë empirike - e çonte fitimin nga operacioni diku te 30-40 milionë euro vetëm për gjashtë muaj. Në këtë llogari, natyrisht nuk përfshihet fitimi i shtuar që do të krijohej nga demontimi i predhave të rënda dhe mbi të gjitha, edhe shitja e mundshme e një pjese të kësaj sasie në tregje të huaja në formë trafiku municionesh. Por kjo është një histori tjetër. Në SHBA ka një hetim për AEY, me segmentin e saj shqiptar ajo bashkohet te personazhet gjithmonë të njëjtë.